Një nga artistët më të dashur të skenës sonë, Yll Limani, po bëhet gati për koncertet e tij që pritet të dhurojnë emocione të jashtëzakonshme.
Këtë javë, pikërisht më 17 korrik, ai do të jetë në Shkup, ndërsa javën e ardhshme, më 24 dhe 25 korrik, do të ndezë atmosferën në Prishtinë. Këto dy ndalesa të rëndësishme shënojnë përmbylljen e fazës së dytë (Phase 2) të koncerteve të tij.
Teksa përgatitjet nga ekipi po vazhdojnë me intensitet të plotë, këngëtari ka ndarë një lajm tejet të rëndësishëm për të gjithë fansat që kanë mbetur pa biletë për këto data.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Ylli bëri të ditur se biletat për fazën e dytë kanë fluturuar me shpejtësi që nga dita kur u hodhën në shitje. Për të gjithë ata që nuk arritën t’i siguronin dot, ai paralajmëroi se shumë shpejt do të hapet faza e tretë (Phase 3).
Ndonëse nuk ka zbuluar ende detaje konkrete apo datën e saktë se kur do të lançohet ky raund i ri biletash, dhe vendet ku do të jetë pjesë, ai premtoi diçka madhështore.
Ylli u shpreh tejet falënderues ndaj publikut për mbështetjen e madhe dhe premtoi se i gjithë stafi po punon që çdo gjë të jetë e përsosur për këto netë magjike.
“Krejt ekipa jemi 100% të fokusuar që gjithçka të shkojë mirë edhe krejt ju të jeni të sigurt, të kënaqeni, të kërceni, të qeshni, të qani… Nëse s’keni arritur t’i merrni biletat, më vjen shumë keq, por kemi për ta lajmëruar shumë shpejt Phase 3. Do të jetë epike!”, ka shkruar ai.
/Prive By Liberta Spahiu



