Ish-banori i “Ferma VIP 2”, Ylli Dreshaj, ishte së fundmi i ftuar në emisionin “Living The Day” në Vizion Plus, ku ndau me publikun disa momente dhe rrëfime personale nga jeta e tij – që nga puna, përvoja në reality show, e deri te një njohje e re, që sipas tij, mund të shndërrohet në një lidhje serioze.
I pyetur nga moderatorja Brunilda Lahes nëse viziton shpesh Tiranën, Ylli u shpreh se nuk vjen edhe aq shpesh, për shkak të angazhimeve profesionale dhe familjare. Megjithatë, kur vjen, ai e shijon në maksimum atmosferën e kryeqytetit.
Aktualisht, Ylli është i punësuar në një hotel ndërkombëtar në Kosovë, ku është ngritur në pozitën e menaxherit, një arritje për të cilën është shumë krenar. Ai tha se këto përgjegjësi të reja janë ndër arsyet pse nuk e ka të lehtë të udhëtojë shpesh.
Kur u pyet për ndikimin që ka pasur pjesëmarrja në “Ferma VIP”, Ylli u shpreh me sinqeritet:
“Më ka ndryshuar shumë si person, për të mirë. Kam qenë një djalë i qetë, nuk dilja shumë, nuk shkoja në diskoteka. Por eksperienca në fermë më ndihmoi të rritem dhe të dal nga guaska.”
Ai foli gjithashtu për letrën e famshme që kishte marrë nga ish-partnerja gjatë qëndrimit në fermë – një temë që pati shumë jehonë në media.
Ylli deklaroi:
“Nuk kam pasur problem me atë që flitet. E di kush jam, familja e di kush jam, dhe njerëzit që më ndjekin e dinë gjithashtu. S’ka rëndësi çfarë flasin pas shpine. Rëndësi ka që kur kthehem, ata heshtin.”
Një kapitull i ri në jetën e tij sentimentale
Ndërsa biseda kaloi në jetën sentimentale, Ylli zbuloi se është në një fazë njohjeje me një vajzë shqiptare. Ai theksoi se ende nuk është një lidhje zyrtare, por po ecën në atë drejtim:
“Nuk mendoj se është ende lidhje. Jemi në fazën e njohjes, por ndihem shumë i lumtur dhe i plotësuar. E falënderoj atë person që ma sjell këtë ndjenjë.”
Ylli preferoi të mbajë privat identitetin e vajzës, duke theksuar se dëshiron ta ruajë këtë raport nga ekspozimi mediatik.
Një moment shumë emocional erdhi në pjesën e dytë të emisionit, kur nëna e tij i telefonoi live në studio dhe e pyeti për ndonjë lidhje të re.
Ylli, për herë të parë, ia konfirmoi nënës se është në një njohje të re, duke shtuar:
“Nuk desha ta shqetësoja këtë herë, pasi është mërzitur shumë në të kaluarën. Kur të bëhet më publike dhe më serioze, do i tregoj.”
/Prive By Liberta Spahiu