Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Juliana Nura, ka qenë në qendër të vëmendjes së fundmi pasi ndau me ndjekësit lajmin e bukur se është në një pritje të ëmbël të binjakëve, të një djali dhe një vajze.
Megjithatë, deklarata e saj e hapur se këtë rrugëtim e ka nisur përmes fertilizimit të asistuar mjekësor (IVF) dhe me anë të një donatori, ka nxitur një valë të madhe kritikash dhe paragjykimesh në rrjetet sociale.
Përballë këtij reagimi të ashpër publik, në krah të Julit ka dalë aktivistja e njohur për të drejtat e grave, Zana Avdiu.
Përmes një mesazhi të shkurtër por mjaft të fuqishëm, Zana ka vlerësuar guximin e Julit për të vepruar përtej fjalëve dhe debateve boshe, duke u kthyer në një shembull të jetësimit të lirisë.
“Xhuli nuk e ka çu debatin në tjetër nivel. Xhuli e ka çu veprimin në tjetër nivel. Nuk mjafton me folë për lirinë e zgjedhjes. Duhet me e jetu atë. Të shkoftë mbarë shtatzënia, Xhuli,” ka shkruar Zana në reagimin e saj.
Vetë ish-banorja e BBVK ka vendosur të mos heshtë përballë lumit të komenteve. Përmes një postimi të bërë sot në ditëlindjen e saj, ajo ka sqaruar motivin e vërtetë se pse zgjodhi ta bënte publik këtë rrugëtim kaq personal. Juli theksoi se qëllimi i saj kryesor është pikërisht thyerja e barrierave shoqërore për gjeneratat që vijnë.
“Kam vendosur me thy tabu që vajzat tona ta kenë rrugën më të lehtë nesër,” ka shkruar ajo, duke bërë të qartë se nuk do të lejojë që paragjykimet t’ia zbehin lumturinë e pritjes së dy fëmijëve të saj.
/Prive By Liberta Spahiu


