Egli Tako feston sot 29-vjetorin e lindjes dhe, ndryshe nga herët e tjera, ka zgjedhur që në këtë ditë të ndajë me ndjekësit disa kujtime shumë personale nga fëmijëria.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram Story, Egli tregoi se data 14 shtator ka gjithmonë një domethënie të veçantë për të, pasi ditëlindja e saj përkonte me ditën e parë të shkollës.
“Mirëmëngjes të gjithëve! Sot është data 14 dhe, në fakt, doja ta ndaja këtë moment me ju, sepse u bëra pak nostalgjike. Ka kaluar shumë kohë nga periudha kur në ditën e ditëlindjes do të nisja edhe shkollën. Ishte dita e parë e shkollës dhe kështu ndodhte. Sot është dita e parë e shkollës, 14 shtator, dhe të vegjlit kanë nisur vitin e ri shkollor”, tha ajo.
Duke iu drejtuar fëmijëve që sot kanë nisur shkollën, Egli uroi secilin prej tyre për një vit sa më të suksesshëm, ndërsa theksoi se një notë nuk duhet të përcaktojë vlerën e tyre.
“Ju uroj shumë suksese dhe ju them të mos e matni vlerën tuaj me notën që do të merrni. Patjetër që duhet të bëni maksimumin dhe të jepni më të mirën tuaj, por mbi të gjitha duhet të jeni individë të mirë. Një notë e keqe nuk do të thotë që ju dështuat”, u shpreh Egli.
Ajo foli edhe për krahasimin me të tjerët, duke kujtuar një prej gjërave që e kishte shqetësuar kur ishte e vogël.
“Mos e krahasoni veten me të tjerët. Jini versioni më i mirë i vetes dhe mos mendoni se çfarë note mori tjetri, çfarë rrobash ka veshur apo sa mirë duket”, tha ajo.
Më pas, Egli tregoi edhe një detaj nga fëmijëria e saj.
Duke qenë se ditëlindjen e kishte më 14 shtator, dhuratat që merrte atëherë shpesh shërbenin edhe për ditën e parë të shkollës.
“Unë e kam vuajtur pak këtë gjë kur isha e vogël. Meqenëse e kisha ditëlindjen në ditën e parë të shkollës, më 14 shtator, dhuratat që më bënin prindërit për ditëlindje i kisha edhe për ditën e parë të shkollës. Për shembull, rrobat që më blinin për shkollë i kisha edhe për ditëlindje, ndërsa motra ime merrte dhurata dy herë në vit, edhe për ditëlindje, edhe për ditën e parë të shkollës”, rrëfeu ajo.
Megjithatë, Egli e tregoi këtë kujtim me shumë dashamirësi, duke theksuar se kjo nuk ka ndryshuar dashurinë që ka për prindërit e saj.
“Gjithsesi, mami dhe babi, ju dua shumë. Nuk mërzitem fare, kështu më qëlloi”, tha ajo.
Në fund, ajo pati edhe një mesazh të ëmbël për të gjithë fëmijët:
“Kalamaja, jepini forca, studioni, bëhuni të mirë, shembullorë. Egli ju do shumë. Puthje!”
Por krahas këtij mesazhi, Egli kishte zgjedhur ta nisë ditëlindjen edhe me një dedikim për veten e saj të vogël. Ajo publikoi një fotografi të krijuar me inteligjencë artificiale, ku shfaqet përkrah versionit të saj fëmijë.
“Hey, vajza e vogël! Të kujtohet sa shumë ke ëndërruar? Sot janë të 20-at e tua të fundit dhe unë dua të të falënderoj si rrallëherë që s’u dorëzove kurrë, që të shkruanim së bashku kapitullin më të bukur të të gjithë jetës! Ty të detyrohem shumë! Gëzuar ditëlindjen! Shumë dashuri, from me, to you!”, shkroi ajo.
Kështu, në 29-vjetorin e saj, Egli zgjodhi të ndajë me ndjekësit jo vetëm emocionet e ditëlindjes, por edhe kujtime nga fëmijëria dhe një mesazh të bukur për të gjithë ata që po nisin një kapitull të ri. /Prive By Liberta Spahiu



