Nëse sot keni parë më shumë se zakonisht njerëz duke shkruar dëshirat, qëllimet apo gjërat që duan të tërheqin në jetën e tyre, arsyeja lidhet me datën 8 gusht.
Në astrologji dhe numerologji, 8/8 njihet si kulmi i të ashtuquajturit “Portali i Luanit”, një periudhë që nga besuesit konsiderohet veçanërisht e fuqishme për manifestim, ndryshime personale dhe vendosjen e qëllimeve të reja. Edhe Vogue dhe People i kanë kushtuar sot hapësirë fenomenit që çdo vit merr vëmendje të madhe në rrjetet sociale.
Por pse pikërisht numri 8?
Në numerologji, tetëshi lidhet me bollëkun, suksesin, fuqinë personale dhe potencialin. Edhe forma e tij, kur vendoset horizontalisht, ngjan me simbolin e pafundësisë, ndaj data 8/8 shihet simbolikisht si një moment për të menduar më seriozisht për atë që dëshirojmë të arrijmë.
Fenomeni lidhet gjithashtu me periudhën e Luanit dhe yllin Sirius. Sipas interpretimeve astrologjike, “Portali i Luanit” shtrihet për disa javë gjatë verës, por pikën më të rëndësishme e arrin pikërisht më 8 gusht.
Çfarë bëjnë njerëzit më 8/8?
Një nga praktikat më të përhapura është shkrimi i dëshirave dhe qëllimeve në letër. Disa zgjedhin të shkruajnë tetë gjëra që dëshirojnë të realizojnë, të tjerë praktikojnë vizualizimin, meditimin apo thjesht vendosin objektiva konkrete për muajt në vazhdim.
Ideja është që dëshirat të formulohen qartë dhe pozitivisht, duke u fokusuar jo vetëm tek ajo që duam, por edhe tek veprimet që mund të ndërmarrim për ta arritur.
Për shembull, në vend të “nuk dua më të jem i pakënaqur në punë”, manifestimi formulohet si “dua të ndërtoj një karrierë që më sjell kënaqësi, stabilitet dhe mundësi të reja”.
Megjithatë, manifestimi, numerologjia dhe ideja e një “portali energjetik” i përkasin praktikave shpirtërore dhe astrologjike dhe nuk janë fenomene të provuara shkencërisht.
Për shumë njerëz, 8 gushti mbetet megjithatë një arsye simbolike për të ndalur për pak, për të përcaktuar se çfarë duan dhe për t’i vendosur vetes synime të reja.
Dhe nëse besoni te manifestimi, sot është pikërisht dita që shumë prej ndjekësve të tij do t’ju thoshin: shkruajeni atë që dëshironi. /Prive By Liberta Spahiu


