Një ngjarje makabre ka tronditur opinionin publik nëLima të Perusë. TikTok-uesja 19-vjeçare Fabiola Alejandra Caicedo Piña u gjet e pajetë dhe e copëtuar më 9 qershor, pranë impiantit të përpunimit të ujit “La Atarjea”. Trupi i saj u zbulua nga punëtorët gjatë një inspektimi rutinë, sipas mediave argjentinase.
Pjesë të trupit të saj ishin futur në qese dhe ishin hedhur jashtë impiantit, çka bëri që policia dhe prokuroria të nisin hetimet menjëherë. Identifikimi i viktimës u bë përmes tatuazheve të saj – njëri në krah që lexonte “Love me for who I am” dhe një tjetër në trup me mbishkrimin “Paula Sophia”.
Viktima kishte postuar videon e saj të fundit në TikTok më 5 qershor, vetëm pak ditë para se të zhdukej.
Më 15 qershor u gjetën edhe pjesë të tjera të trupit të saj, ndërsa deri më 19 qershor disa pjesë vazhdonin të mungonin. Hetuesit dyshojnë se ajo është mbytur përpara se të copëtohej, dhe kanë vërejtur shenja djegieje nga cigaret në këmbë dhe kërcinj, duke ngritur dyshime për torturë.
Dy pista kryesore janë duke u hetuar nga policia:
- Trafikimi i qenieve njerëzore – duke qenë se në javët e fundit disa vajza të reja janë gjetur të vdekura në Lima ose në lumin Rímac, shumë prej tyre të futura në valixhe. Ka dyshime se Caicedo mund të ketë rënë viktimë e një rrjeti trafikimi.
- Hakmarrja për vdekjen e ish-të dashurit – në vitin 2022, Caicedo u shpërngul nga Venezuela në Lima bashkë me të dashurin e saj 21 vjet më të madh, Mayner Yoffrey Giménez Castrillo. Ai vdiq disa muaj më vonë në rrethana misterioze. Familja e tij akuzoi publikisht Caicedon, atëherë vetëm 16 vjeç, se ishte përfshirë në vdekjen e tij, por ajo nuk u hetua zyrtarisht kurrë. Çështja mbetet ende e hapur.
Policia dyshon se natën para vrasjes, Caicedo u josh nga një festë nën pretendime të rreme dhe më pas u vra. Besohet se trupin e saj e hodhën në lumin Rímac, prej nga përfundoi në impiantin e ujit.
Aktualisht, hetimet po vazhdojnë me analizim kamerash sigurie dhe intervistim të personave që e kanë njohur. Deri tani, asnjë person nuk është arrestuar dhe nuk ka të dyshuar të emëruar zyrtarisht. /Prive By Liberta Spahiu