Në një botë ku lidhjet e shpejta dhe ndarjet publike janë bërë të zakonshme në rrjetet sociale, çifti i famshëm i influencuesve, Valdeti dhe Valdrina, kanë sjellë sot një shembull krejt tjetër, duke kurorëzuar dashurinë e tyre shumëvjeçare në një ceremoni fetare emocionuese.
Dyshja, të cilët jetojnë në vendet gjermanofolëse dhe numërojnë mijëra ndjekës që i duan për videot e tyre familjare dhe humoristike, kanë njoftuar këtë pasdite se kanë kryer zyrtarisht celebrimin fetar. Ishte vetë Valdrina ajo që ndau momentin prekës në Instagram, ku shfaqet me mbulesë në xhami, ndërsa Valdeti e puth në ballë – një gjest simbolik respekti dhe dashurie në ceremonitë e tilla.
Ajo që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve dhe ka nxitur qindra komente është fakti se ky hap vjen pas një rrugëtimi jashtëzakonisht të gjatë. Në mbishkrimin e saj në gjermanisht, blogerja shkruan: “14 vite krah për krah, dhe sot zyrtarisht të bashkuar para Allahut”. Postimi shoqërohej edhe me ajetin e njohur kuranor “Dhe Ne ju krijuam në çifte”, duke i dhënë edhe më shumë peshë shpirtërore këtij momenti.
Ndonëse çifti ka tashmë dy fëmijë dhe një jetë të ndërtuar plotësisht bashkë, vendimi për t’u martuar me hoxhë pas më shumë se një dekade ka surprizuar disa nga ndjekësit, të cilët në seksionin e komenteve pyesnin me kuriozitet nëse kishte ndonjë arsye specifike për këtë pritje të gjatë. Megjithatë, shumica dërrmuese e kanë mirëpritur këtë “vulë” zyrtare të dashurisë së tyre, duke i uruar për hapin e rëndësishëm që forcon edhe më tej familjen e tyre simpatike. Urime!
/Prive By Liberta Spahiu


