Sonte, grupi legjendar “Marigona” ndezi Prishtinën në një koncert të fundit epik që padyshim mbylli një epokë të artë të muzikës sonë live dhe solli nostalgji pafund. Por, para se dritat e skenës të ndriçonin vokalistin ikonik, Vullnet Sefaja, një histori e jashtëzakonshme dhe thellësisht prekëse ka marrë vëmendjen e të gjithë publikut. Motra e tij nga babai, Erëza Vela, ka ndarë një rrëfim brilant, fiks si nëpër filma, për zbulimin e vëllait të saj të madh, një “sekret” që në fakt ia ndryshoi jetën dhe formoi një lidhje të pathyeshme familjare.
Gjithçka kishte nisur në vitin 1994 në Tetovë, kur Erëza ishte vetëm nëntë vjeç dhe një kushërirë e pyeti nëse e dinte që babai i saj kishte një djalë tjetër me emrin Vullnet. Erëza tregon se atë moment u hoq sikur e dinte, por e vërteta ishte krejt ndryshe. “Nuk doja që ajo të më kuptonte se, me një fjali të vetme, sapo ma kishte lëkundur të gjithë botën. Atë natë nuk fleta,” ka rrëfyer ajo.
Babai ishte shoku i saj i ngushtë, njeriu me të cilin ndante çdo gjë dhe thyente rregullat e shtëpisë, ndaj zbulimi i këtij detaji e tronditi. Të nesërmen, me guximin naiv të një fëmije, ajo e pyeti të atin drejtpërdrejt: “Babi, pse nuk ke bërë edhe një fëmijë e t’ia lije emrin Vullnet?” Pas një heshtjeje të thellë, babai e uli për t’i treguar historinë e një djali që kishte lindur pesë vjet para se të njihte nënën e Erëzës. Ai djalë po rritej me plot sakrifica nga nëna e tij, Vala, një grua jashtëzakonisht e fortë dhe krenare që i kishte dhënë me të drejtë edhe mbiemrin e saj, Sefaja.
Për Erëzën e vogël, çdo gjë mori përmasa magjike kur kuptoi se ky vëlla misterioz ishte askush tjetër veçse zëri i këngës së saj të preferuar, “Ajshe”, këngë që mbante edhe emrin e gjyshes së saj. Por pika kulminante e kësaj drame reale familjare ishte nëna e Erëzës, e cila mori vendimin më fisnik për të bashkuar gjakun. Erëza kujton fjalët e saj që ndryshuan rrjedhën e gjërave: “Fëmijët duhet të njohin njëri-tjetrin. Është koha të thërrasim Vullnetin të vijë në shtëpi. Të provojmë të bëjmë familje këtë që deri tani ka qenë vetëm një histori e komplikuar.” Kur Vullneti i ri erdhi në derën e tyre në Tetovë, disi i pasigurt por plot guxim për t’u përballur me të shkuarën, nëna e Erëzës e priti me krahë hapur dhe i tha: “Eja, djali im. Mirë se erdhe.” Familja u rikrijua po atë ditë.
Lidhja e tyre u blindua me kalimin e viteve, veçanërisht pas ndarjes nga jeta të babait të tyre. Vullneti u bë pika e saj e mbështetjes, duke i paguar fakultetin dhe duke e ndihmuar të gjente punën e parë, organizimin e Videofestit me Erolldin. Por një detaj që tregon shpirtin e madh të Vullnetit është raporti i tij me nënën e Erëzës. Në ditën e zezë kur nëna e tij, Vala, ndërroi jetë, ai iu drejtua nënës së Erëzës me fjalët që do të bënin këdo të qante: “Tani mbeta vetëm me një nënë.”
Sonte, Erëza dhe nëna e saj ishin aty, në koncertin e jetës së tij, për të mbështetur djalin që tashmë e do e gjithë Kosova, me shpresën e thellë se babai dhe tezja Vala po i ndiqnin me krenari nga qielli. /Prive By LS/


