Një betejë e re ligjore ka nisur për artistin Gjesti, i cili ka vendosur t’i drejtohet drejtësisë për të zgjidhur një mosmarrëveshje rreth të drejtave të tij autoriale. Këngëtari është shfaqur sot para gjykatës bashkë me avokatin e tij, për të njoftuar se kanë dorëzuar një kallëzim penal ndaj kompanisë Onima.
Me pak fjalë dhe i qartë në atë që kërkon, Gjesti theksoi se synimi i tij i vetëm është të fitojë lirinë e tij artistike. “Sot kemi bërë një kallëzim penal ndaj kompanisë Onima dhe kurrgjë s’di për më shumë as më pak, thjesht dua me qenë i lirë,” u shpreh ai para gazetarëve, duke ia lënë fjalën për detajet ligjore avokatit të tij.
Avokati Burim Azemi sqaroi se baza e këtij kallëzimi lidhet drejtpërdrejt me shkeljen e ligjit për të drejtat e autorit. Sipas avokatit, Onima ka paraqitur një kontratë përmes së cilës pretendohet se u janë shitur të drejtat e artistit, një dokument që pala mbrojtëse e konsideron pa vlerë dhe jo-legjitim. Ai deklaroi bindshëm se klienti i tij nuk e ka nënshkruar asnjëherë këtë kontratë, nuk ka qenë në dijeni për ekzistencën e saj dhe rrjedhimisht nuk ka përfituar asnjë herë asgjë prej saj.
Për të vërtetuar këto pretendime, avokati theksoi se kanë kërkuar një ekspertizë të grafologjisë, e cila do të faktojë nëse nënshkrimi në kontratë është i artistit apo është manipuluar nga persona të tjerë. Mbrojtja pretendon se këto veprime janë kryer në bashkëkryerje dhe theksoi se janë besimplotë që kanë provat e mjaftueshme për të pritur një vendim të drejtë.
/Prive By Liberta Spahiu


