Aktorja e njohur Gresë Gashi po vazhdon të shprehë mbështetjen e saj për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Përmes postimeve të ndryshme në rrjetet sociale, ajo ka bërë të ditur se po merr pjesë çdo natë në protestat e organizuara në mbështetje të tyre, duke shënuar kështu ditën e 13-të të pjesëmarrjes së saj.
Në një postim të fundit në Instagram Story, nga sheshi ku po zhvillohen tubimet, aktorja ka ndarë një fotografi nga atmosfera e protestës, të shoqëruar me një mesazh përmes të cilit ka shprehur përkushtimin e saj ndaj kësaj kauze.
“S’ka shfaqje teatri as premierë filmi që më bind ta lë këtë protestë. E dua skenën shumë, por sonte dhe çdo natë tjetër e ndiej se vendi im është vetëm këtu”, ka shkruar aktorja mbi fotografinë ku shihet së bashku me qytetarë të tjerë në tubim.
Protestat ku po merr pjesë Gresa Gashi lidhen me mbështetjen për ish-drejtuesit e UÇK-së, të cilët po përballen me procese gjyqësore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Pjesëmarrja e figurave publike dhe artistëve në këto tubime ka tërhequr vëmendje edhe në rrjetet sociale, ku ata kanë bërë publike qëndrimet dhe mbështetjen e tyre. /Prive By Liberta Spahiu



