Treshja e famshme e “Big Brother VIP Kosova 4”, e përbërë nga Klodi, Eljona dhe Londrimi, kanë qenë padyshim një nga grupimet më të komentuara brenda shtëpisë. Por, pas rikthimit në jetën reale, mungesa e daljeve të tyre të përbashkëta javëve të fundit bëri që ndjekësit të nisin dyshimet se ndoshta miqësia e tyre ka pësuar një krisje dhe se rrugët e tyre janë ndarë.
Këto aludime morën vëmendje të madhe së fundmi, kur Klodi bëri disa postime në rrjetin social X.
Ai shkroi për njerëz që urrejnë të tjerët vetëm sepse nuk bëjnë zgjedhjet që ata presin, apo sepse nuk janë ashtu siç ata do të donin të ishin. Sigurisht, fansat e lidhën këtë status direkt me raportin e tij me dyshen e njohur, sidomos me Elin. Megjithatë, këto lojëra të Klodit në rrjete sociale me statuse enigmatike nuk janë pritur mirë nga të gjithë dhe janë kritikuar nga disa prej ndjekësve. Shumë prej tyre i kanë kërkuar atij të bëjë “move on” nga Big Brother. Për ta, ajo aventurë ka mbaruar me kohë dhe jeta reale nuk ka vend për kunja apo statuse me nënkuptime që duket sikur kërkojnë vëmendje të panevojshme.
Imagine hating someone just because they didn’t make the choices you wanted them to make 🖤
— Klodian Mihaj (@klodmihaj) April 7, 2026
Pas gjithë këtyre zërave dhe komenteve, Klodi ka vendosur t’i përgjigjet kuriozitetit të publikut përmes një bisede virtuale në Instagram për t’i dhënë fund thashethemeve. I pyetur troç nëse është ende shok me Londrimin dhe Eljonën, ai ka publikuar një foto ku përgjigjet me një “Poooooo” të gjatë, duke konfirmuar se nuk ka asnjë hatërmbetje dhe se grupi është ende bashkë.
Sa i përket komenteve për të lënë pas të kaluarën e formatit, ai theksoi se Big Brother ka qenë eksperienca më e mirë, por konfirmoi se tani po vazhdon tutje me jetën e tij.
Klodi u shpreh filozofikisht se jeta ka lamtumira të papritura, por e rëndësishme është të krijosh hapësirë për njerëzit e dashur dhe të shijosh momentet. /Prive By Liberta Spahiu



