Injeksionet e njohura për humbje peshe mund të kenë efekte anësore të përhapura që shpesh anashkalohen. Një studim i ri ka zbuluar se rreth 44% e përdoruesve kanë raportuar të paktën një simptomë shqetësuese të paidentifikuar më parë si problem madhor, duke ngritur pikëpyetje mbi ndikimin e vërtetë të këtyre medikamenteve tek pacientët.
Ndërsa mënyra se si ilaçet tradicionale reagojnë në trup është e mirëpërcaktuar nga provat e gjata klinike, medikamentet e klasës GLP-1 (si semaglutide që gjendet te Ozempic dhe Wegovy, apo tirzepatide te Mounjaro dhe Zepbound) vetëm kohët e fundit kanë filluar të përdoren masivisht. Për të kuptuar më mirë ndikimin e tyre real, studiuesit nga Penn Engineering përdorën Inteligjencën Artificiale për të analizuar rreth 400,000 postime nga mbi 70,000 përdorues në platformën Reddit, të mbledhura gjatë pesë viteve të fundit.
Simptomat e reja që po raportojnë përdoruesit
Të dhënat që dolën në dritë ishin domethënëse. Sipas gjetjeve, 44 për qind e përdoruesve raportuan simptoma të tilla si probleme të rënda me stomakun, lodhje kronike, të dridhura të vazhdueshme, afshe të nxehta dhe ndjesinë e afrimit të një gjendjeje me ethe.
Gjithashtu, rreth 4 për qind e përdoruesve raportuan çrregullime menstruale të theksuara, duke përfshirë perioda të rënda ose vonesa të ciklit—simptoma këto të ngjashme me Sindromën e Vezoreve Polikistike (PCOS) apo probleme të tiroides. Një detaj interesant i studimit tregoi se burrat ishin më të prirur për t’i raportuar publikisht këto efekte anësore online.
Pse ndodhin këto reaksione?
Për t’i dhënë një shpjegim mjekësor këtij fenomeni, studimi thekson se këto ilaçe për humbje peshe shënjestrojnë drejtpërdrejt hipotalamusin—zonën e trurit që është përgjegjëse për rregullimin e hormoneve. Kjo ndërhyrje e thellë në sistemin hormonal shpjegon arsyen pse trupi reagon me efekte të tilla të papritura tek shumë pacientë.
Pse dështuan provat klinike t’i evidentojnë?
Bashkëautori i studimit, Lyle Ungar, theksoi se provat klinike shpesh “identifikojnë vetëm efektet anësore më të rrezikshme” të medikamenteve, por dështojnë të kapin simptomat e përditshme për të cilat pacientët shqetësohen vërtet. Kjo duket qartë në volumin e madh të ankesave në rrjetet sociale për simptoma që nuk njihen rëndom si të lidhura me këto ilaçe.
Ndërkohë, autori kryesor i studimit, Sharath Chandra Guntuku, shtoi se këto efekte janë shkruar online me vullnet të lirë nga vetë përdoruesit dhe mjekët duhet t’u kushtojnë më shumë vëmendje.
“Provat klinike janë ‘standardi i artë’, por nga vetë natyra e tyre ato janë të ngadalta,” përfundoi Guntuku. “Ky studim nuk i zëvendëson ato, por ofron të dhëna shumë më shpejt, dhe kjo shpejtësi ka rëndësi kur një ilaç kalon nga një përdorim i kufizuar tek një fenomen global pothuajse brenda natës.”
/Prive By Liberta Spahiu


