Në një kohë kur interneti është i mbushur me informacione të pafundme dhe shpesh të pakonfirmuara, të gjesh një burim të sigurt për shëndetin tënd nuk është gjithmonë një detyrë e lehtë. Të gjithë e gjejmë shpesh veten duke kërkuar simptoma, receta apo këshilla online për veten dhe të dashurit tanë. Pikërisht këtë nevojë reale ka ditur ta lexojë drejt gazetarja e njohur Saranda Bujupi, e cila këto ditë po shënon një moment me rëndësi në rrugëtimin e saj profesional. Portali i saj informativ, “Familja Jonë”, sapo ka mbushur plot shtatë vite nga themelimi, duke treguar një stabilitet të rrallë në tregun tonë mediatik.
Ajo që nisi si një hapësirë digjitale për t’iu përgjigjur pyetjeve të përditshme mbi mirëqenien, me kalimin e kohës është shndërruar në një ritual të vërtetë për shumë njerëz. Saranda nuk është mjaftuar vetëm me dimensionin e webit. Prej vitesh tashmë, ajo vjen çdo të diel në ekran, duke sjellë pranë publikut specialistë të fushës dhe duke e kthyer emisionin e saj në një dritare ku mjekësia dhe këshillat për një jetë më të shëndetshme komunikohen në mënyrë të thjeshtë, njerëzore dhe të kuptueshme nga çdo grupmoshë.
Sekreti i kësaj jetëgjatësie në një treg mediatik që vazhdimisht ndryshon dhe kërkon vëmendje të shpejtë, qëndron te parimet mbi të cilat është ngritur projekti. Në vend të tendencave për të gjeneruar klikime me tituj paniku apo kuriozitete të pabaza mjekësore, Saranda ka zgjedhur një rrugë më impenjative: atë të ruajtjes së standardit, duke mos bërë asnjëherë kompromis me besueshmërinë e informacionit që publikohet.
Sot, pas një rrugëtimi shtatëvjeçar, “Familja Jonë” qëndron si një dëshmi se gazetaria e fokusuar te fakti dhe e ndërtuar mbi përgjegjësinë publike arrin t’i rezistojë kohës. Me një identitet të qartë tashmë të konsoliduar, platforma mbetet një adresë e pashmangshme për të gjithë ata që e vendosin shëndetin dhe mirëqenien në plan të parë. /Prive By Liberta Spahiu


