Vetëm 24 orë pas publikimit të albumit të saj më të ri të titulluar ‘Genesis’, Tayna ka arritur të thyejë kufijtë lokalë duke u shndërruar në kryefjalën e muzikës në tregun evropian. Albumi, i cili përmban gjithsej 13 këngë, u lançua fillimisht në platformën Spotify në mesnatën e 8 majit, për t’u pasuar mbrëmjen e djeshme me publikimin e videoklipeve në kanalin e saj zyrtar në YouTube.
Publikimi i menjëhershëm i videoklipeve në YouTube ka gjeneruar miliona klikime brenda pak orëve, duke treguar se interesi për rikthimin e fuqishëm të artistes është në kulmin e tij.
Ajo që e bën këtë lançim të jashtëzakonshëm është depërtimi i menjëhershëm në playlistat më prestigjioze evropiane.
Kënga “Della”, e cila u lansua në platformën Youtube pak ditë para albumit, është renditur krah hiteve botërore në “New Music Friday Switzerland” dhe “New Music Friday Deutschland”. Ky pozicionim në tregun e Gjermanisë dhe Zvicrës vërteton se muzika e Tayna-s ka tejkaluar barrierat gjuhësore, duke u bërë pjesë e rëndësishme e “vibe-it” evropian.

Vazhdimësia pas hiteve “Muza” dhe “Vena”
Suksesi i albumit ‘Genesis’ nuk vjen si rastësi, por si një vazhdimësi e punës së palodhshme të artistes. Pas suksesit të padiskutueshëm me këngët “Muza” dhe “Vena”, të cilat hapën rrugën drejt top-listave ditë më parë, projekti i ri vjen për të vulosur dominimin e Tayna-s në industrinë muzikore shqiptare dhe atë ndërkombëtare për vitin 2026.
‘Genesis’ – Një fillim i ri për artisten
Fansat po e vlerësojnë albumin si një nga projektet më kualitative të vitit, duke e cilësuar atë si “kolonën zanore” që do të shoqërojë këtë sezon veror në çdo klub dhe makinë, jo vetëm në trojet shqiptare, por në mbarë diasporën. /Prive By Liberta Spahiu




