Duket se Kejvina Kthella ka mësuar një leksion të vështirë mbi besimin. Modelja e njohur ka rënë pre e një mashtrimi financiar, dhe personi i dyshuar nuk është askush tjetër, por një shoqe e saj e ngushtë. Sipas detajeve nga gazetari Elton Qyno, Kejvina i kishte lënë në mirëbesim një shumë prej 8 mijë eurosh të kursyera nga puna e saj, por paratë u zhdukën si me magji.
Detajet e kësaj ngjarjeje ngjajnë me skenarin e një telenovele. Pasi po planifikonte të vizitonte të afërmit e saj në Lezhë dhe në shtëpinë e saj në Tiranë pritej të shkonte pastruesja, Kejvina ia besoi paratë për t’i ruajtur shoqes së saj të lagjes, e identifikuar me inicialet A.O. Por, kur erdhi koha për t’i marrë mbrapsht, nisën justifikimet e pafundme. Fillimisht, mikesha pretendoi se i kishte mbyllur paratë në një kasafortë dhe “rastësisht” e kishte harruar kodin. Kur kasaforta u hap më në fund pas këmbënguljes së Kejvinës, brenda nuk kishte asnjë qindarkë! Më pas, historia ndryshoi sërish: paratë supozohej të ishin futur në llogarinë bankare të shoqes, e cila fatkeqësisht ishte bllokuar nga përmbarimi dhe nuk mund të kryhej asnjë tërheqje.
Pasi kuptoi se paratë nuk po ktheheshin dhe alibitë nuk kishin fund, Kejvina mori situatën në dorë dhe iu drejtua Policisë së Tiranës në fillim të muajit maj. Autoritetet e morën seriozisht këtë çështje, duke e proceduar dosjen në prokurori për veprën penale të mashtrimit. Tani, A.O. është përballur me drejtësinë dhe gjykata i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, teksa kjo dramë ligjore vazhdon të zhvillohet. Ngjarja është padyshim një goditje e rëndë për modelen, duke vërtetuar edhe një herë se përzierja e miqësisë me paratë përfundon shpesh me pasoja të hidhura. Mbetet për t’u parë se si do të përfundojë kjo përballje mes ish-mikeshave. /Prive By Liberta Spahiu


