Jermaine Jackson, vëllai i madh i mbretit të popit Michael Jackson, është urdhëruar të paguajë miliona dollarë ndaj gruas që e akuzon për përdhunim, pa shkelur asnjëherë në gjykatë për t’u përballur me rastin.
Sipas dokumenteve të reja gjyqësore të siguruara nga mediat e huaja, Rita Butler Barrett ka fituar një vendim gjyqësor në mungesë kundër Jackson, duke u dëmshpërblyer me saktësisht 6.5 milionë dollarë për dëmet dhe shpenzimet e procesit.
Kjo shumë mbulon gjithashtu edhe shpenzimet mjekësore që ajo ka pasur si pasojë e ngjarjes.
Padia e bujshme u ngrit në dhjetor të vitit 2023, nën ligjin e Kalifornisë për përgjegjësinë ndaj abuzimit seksual dhe fshehjes së tij.
Barrett ka dëshmuar se ngjarja e rëndë ka ndodhur në pranverën e vitit 1988, kur artisti u shfaq papritur në shtëpinë e saj në Encino të Kalifornisë dhe e përdhunoi dhunshëm.
Sipas saj, sulmi zgjati disa minuta përpara se këngëtari të ndalonte papritur dhe të largohej nga banesa, duke e lënë atë të traumatizuar për vite me radhë.
Detaji më i jashtëzakonshëm i këtij procesi mbetet fakti që Jermaine Jackson nuk iu përgjigj asnjëherë zyrtarisht padisë.
Avokatët e Barrett deklaruan se e patën të pamundur ta lokalizonin yllin e muzikës për t’i dorëzuar dokumentet zyrtare, gjë që i detyroi ata të merrnin lejen e gjykatës për t’ia dërguar njoftimin ligjor përmes një publikimi në gazetën “Los Angeles Times”.
Pikërisht injorimi total i padisë bëri që gjykata të merrte automatikisht vendimin në mungesë, duke i dhënë të drejtë plotësisht akuzueses.
Mediat kanë kontaktuar me përfaqësuesit e Jermaine Jackson për një koment zyrtar, mirëpo deri më tani nuk ka pasur asnjë reagim prej tyre. /Prive By Liberta Spahiu


