Mbrëmja e finales së madhe të Eurovisionit duket se ka sjellë vëmendje jo vetëm në skenë, por edhe në prapaskenë, ku mediat fqinje gjetën sërish një arsye për të krijuar lajm aty ku nuk ka.
Tabloidi serb “Telegraf.rs”, tashmë i njohur gjerësisht për titujt e tij sensacionalistë dhe propagandën e hapur nacionaliste, ka reaguar ashpër ndaj një detaji krejtësisht normal. Teksa po zhvillohej performanca e Shqipërisë me Alis në skenën e finales së madhe sonte, në ambientet e prapaskenës u valëvit me krenari flamuri i Republikës së Kosovës, duke i dhënë mbështetje maksimale përfaqësimit shqiptar në këtë ngjarje të muzikës evropiane.
Për median serbe, kjo pamje ishte një sebep i radhës për të ndezur gjakrat. Ata nxituan dhe publikuan menjëherë një video në llogarinë e tyre zyrtare, duke u përpjekur ta kthejnë këtë mbështetje të pafajshme në një skandal.
Me një gjuhë të mbushur me mllef dhe me një tendencë të qartë për t’u viktimizuar, tabloidi e cilësoi lëvizjen si një “provokim të vazhdueshëm të shqiptarëve” dhe përdori terminologjinë e tij të zakonshme e skandaloze politike, duke e quajtur “e ashtuquajtura Kosovë”.
Anëtari i Eurovision Kosova, Albert Limani, i cili ndodhej bashkë me ekipin e RTK-së në sallën e mediave duke e ndjekur performancën e Alisit, ka bërë të ditur se një grua nga delegacioni i Serbisë ka tentuar t’ua largojë flamurin e Kosovës.
“Derisa po festonim bashkë me kolegë të tjerë paraqitjen e Shqipërisë në Eurovision, në Qendrën e Mediave në Vjenë, një grua nga delegacioni i Serbisë erdhi dhe tentoi të na e heqë flamurin e Kosovës, duke na thënë se ‘ky flamur nuk lejohet këtu’. Sigurisht, ajo tentoi ta prekë, por nuk e lejova dhe u kthye mbrapsht. Flamuri i Kosovës do të valojë dhe do të lejohet gjithkund, ndërsa ne do ta mbrojmë me çdo kusht”, ka shkruar Limani në Facebook, teksa ka publikuar edhe videon nga momenti i incidentit.
Megjithatë, ndërkohë që portali përpiqet të nxisë debate, delegacioni shqiptar dhe mbështetësit tanë atje thjesht po vazhdojnë të shijojnë magjinë e festivalit, plotësisht të pashqetësuar për zhurmën e radhës që vjen nga Beogradi. /Prive By Liberta Spahiu


