Influencerja e njohur shqiptare, Doresa, ka bërë një tjetër reagim emocional pas zhvillimeve të ditëve të fundit, që kanë rikthyer në vëmendje pretendimet për bullizimin që ajo thotë se ka përjetuar vite më parë.
Përmes një postimi në Instagram, Doresa ka treguar se kjo periudhë ka qenë jashtëzakonisht e rëndë për të, duke ndikuar edhe në gjumin dhe ushqyerjen e saj.
“Këto ditë mezi kam hangër, mezi kam flejtë”, ka shkruar ajo, krahas një fotografie të peshores, ku ka treguar se ka humbur dy kilogramë.

Ky reagim vjen vetëm pak ditë pasi Doresa dha një intervistë ekskluzive për Prive By LS, ku rrëfeu mes lotësh përvojat e saj nga e kaluara, duke ngritur pretendime për bullizim nga një grup vajzash shqiptare në Facebook.
Në rrëfimin e saj, ajo përmendi edhe Jona Krasniqin, banoren e Big Brother VIP Kosova 5, emri i së cilës është përfshirë në diskutimet që kanë shpërthyer së fundmi në rrjetet sociale. Doresa tregoi se komentet dhe situatat që pretendon se kishte përjetuar rreth nëntë vite më parë kishin lënë pasoja të thella emocionale tek ajo.
Ndërkohë, në reagimin e fundit, influencerja pretendon se po përballet sërish me të pavërteta dhe përpjekje për ta dëmtuar, pas vendimit për të folur publikisht.
“Vazhdoni rrenat tuaja sa të doni. Unë nuk kam me ra në nivelin tuaj”, ka shkruar ndër të tjera Doresa.
Pavarësisht gjendjes së rënduar që përshkruan, ajo ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të tërhiqet, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “Kam me vazhdu përpara. Nuk keni me më thy”.
Kujtojmë se në reagimin e publikuar në emër të Jonës, pretendimet rreth grupit në Facebook janë kundërshtuar, ndërsa është dhënë një version tjetër për qëllimin e krijimit të tij. /Prive By LS


