Seriali i famshëm i Netflix, “Emily in Paris”, po vjen drejt fundit. Platforma e transmetimit njoftoi se sezoni i gjashtë i kësaj komedie romantike do të jetë i fundit për historinë e Emily Cooper. Ndërkohë, xhirimet e këtij kapitulli përmbyllës kanë nisur zyrtarisht në Greqi.
Krijuesi i serialit, Darren Star, u shpreh mjaft i emocionuar dhe mirënjohës për këtë rrugëtim gjashtëvjeçar. Ai falënderoi Netflix-in, stafin e mrekullueshëm dhe veçanërisht fansat që i shoqëruan gjatë gjithë kësaj kohe, duke thënë se mezi pret të ndajë këtë kapitull të fundit me publikun.
Aktorja kryesore, Lily Collins, ndau gjithashtu një mesazh me ndjekësit përmes një videoje nga prapaskenat. Ajo premtoi se sezoni i gjashtë do të sjellë gjithçka që publiku dashuron tek ky serial dhe se i gjithë ekipi po jep maksimumin për t’i bërë këto episode të fundit sa më magjike dhe “shik”.
Pas suksesit të sezonit të pestë, ku ngjarjet u zhvendosën pjesërisht në Itali, sezoni i ri do të ketë si sfond lokacione të reja luksoze në Greqi dhe Monako. Seriali, i cili nisi në tetor të vitit 2020, ka arritur të mbledhë një audiencë të madhe globale gjatë këtyre viteve.
Edhe pse më parë ishte përfolur për një kohëzgjatje më të madhe, producentët kanë vendosur që historia e Emily-t në Evropë të mbyllet përfundimisht me këtë sezon të gjashtë, duke i dhënë personazhit një fund të plotë dhe të merituar.
/Prive By Liberta Spahiu


