Një lëvizje e papritur e fituesit të edicionit të katërt të Big Brother VIP Kosova, Londrim Mekaj, ka tërhequr menjëherë vëmendjen e ndjekësve. Këngëtari duket se është “zhdukur” tërësisht nga rrjetet sociale, duke ngritur pikëpyetje të mëdha mbi atë se çfarë po ndodh rreth tij.
Londrimi ka fshirë çdo postim nga llogaria e tij zyrtare në Instagram, duke e lënë profilin me zero publikime. Për më tepër, ai ka hequr edhe foton e tij të profilit. Ky veprim radikal vjen pas një periudhe të gjatë heshtjeje, gjatë së cilës artisti nuk ka qenë shumë aktiv në platformat e tij sociale.
Deri më tani, Londrimi nuk ka bërë asnjë njoftim apo sqarim zyrtar se pse e ka ndërmarrë këtë hap. Megjithatë, në industrinë e muzikës moderne, një “pastrim” i tillë i rrjeteve sociale ka një kuptim të qartë: paralajmërimin e një projekti të ri muzikor.
Aludimet se këngëtari po punon intensivisht në studio për të sjellë krijime të reja janë të mëdha nga adhuruesit e tij, por deri më tani çdo gjë është enigmatike.

Kujtojmë se kjo lëvizje e Londrimit nuk është e panjohur për publikun. Vetëm pak ditë më parë, të njëjtën strategji “zhdukjeje” e përdorën edhe dy prej emrave të estradës shqiptare, Butrint Imeri dhe Dhurata Dora, të cilët po ashtu pastruan profilet e tyre.
Me afrimin e sezonit të nxehtë të verës, ku lançimi i hiteve është në kulmin e tij, fansat janë në pritje. Gjithçka tregon se pas kësaj heshtjeje enigmatike, diçka e re dhe e madhe pritet të vijë së shpejti nga Londrimi. /Prive By Liberta Spahiu



