Mikaile Tmusic ka vendosur të flasë hapur për një nga vendimet më intime dhe më të përfolura të jetës së tij: konvertimin në fenë islame. Gjatë një interviste të fundit me gazetaren Ulpiana Emra, basketbollisti i njohur nuk u fsheh pas fjalëve të bukura, por tregoi ekzaktësisht se si ndodhi ky ndryshim shpirtëror, i cili duket se e ka zanafillën që nga dita e tij e parë në Kosovë.
Fillimi i këtij rrugëtimi nuk ishte i planifikuar. Siç e pranon edhe vetë ai, njohuritë e tij për këtë fe ishin zero përpara se të transferohej këtu. “Kur kam ardhë në Kosovë para 8 vjetësh, vit pas viti, kam këqyr… para se me ardhë këtu nuk e dija se si dukej Islami”, ka deklaruar Mikaile, duke theksuar se kontakti i përditshëm me njerëzit e bëri të reflektonte se çfarë përfaqësonte kjo fe.
Pjesa më e fortë e rrëfimit ishte kur ai foli hapur për të kaluarën e tij dhe krishtërimin. Me një sinqeritet që rrallë e shohim, basketbollisti pranoi se besimet e tij të mëparshme kishin zbrazëtira të mëdha. “Unë jam i lindur si i krishterë, por kurrë nuk kam besuar në disa gjëra. Për shembull, që Jezusi ishte Zot, unë kurrë nuk kam besuar në atë gjë”, u shpreh ai qartë.
Kjo krisje me besimin e vjetër e drejtoi natyrshëm drejt praktikimit të fesë së re, sidomos kur zbuloi muajin e shenjtë të Ramazanit. “Veçanërisht kur kam parë për Ramazanin… për të agjëruar, e fillova, dhe kështu vit pas viti nisa t’i bëj më seriozisht të gjitha gjërat tradicionale që duhet t’i bëjnë myslimanët”, tregoi ai për proçesin e tij të përshtatjes.
Në fund, ai e vulosi vendimin e tij me një fjali të vetme, duke treguar se nuk bëhet fjalë vetëm për një ndryshim në letër, por për një ndjenjë të thellë përkatësie. “Personalisht, unë ndihem si një mysliman, kështu që kjo është arsyeja pse doja të ndryshoja fenë”. /Prive By Liberta Spahiu


