Ata janë mësuar të gëzojnë të tjerët në çdo dasmë e aheng familjar, por këtë herë festa ka trokitur ekskluzivisht në derën e tyre. Çifti i njohur i muzikës popullore, Drilon Jahdauti dhe Beslira Xhafaj, janë në ditët e fundit të pritjes së ëmbël dhe po bëhen gati të marrin në krahë fëmijën e tyre të parë.
Lajmin e bukur të shtatzënisë ata e ndanë me publikun pikërisht më 1 janar, duke e nisur vitin me emocionin më të madh të jetës. Ndërsa tani, kur ka mbetur edhe fare pak kohë nga fundi i këtij rrugëtimi, çifti ka vendosur ta përjetësojë këtë periudhë përmes një seti të ri fotografik që e kanë publikuar në llogaritë e tyre në Instagram.
Në imazhin e ndarë me ndjekësit, Beslira duket mjaft bukur, e veshur me një fustan të zi, elegant dhe të thjeshtë, i cili thekson qartë barkun e rrumbullakosur të muajve të fundit. Pranë saj qëndron Driloni, i cili i dhuron një puthje në ballë, në një portret të ngrohtë e të natyrshëm familjar. Postimin ata e kanë shoqëruar me mbishkrimin e shkurtër: “Dashuria që rritet çdo ditë”, duke mbledhur menjëherë urime të shumta nga miqtë, kolegët dhe fansat.
Kjo ngjarje e madhe në jetën private vjen në një kohë të ngjeshur edhe me angazhime në muzikë. Rreth një muaj më parë, dyshja publikoi duetin e radhës “Nuse Hasjane”, një projekt që u prit mjaft mirë dhe ka kaluar mbi 360 mijë klikime në YouTube. Tani, me tregun muzikor që e ka marrë këngën e re, e gjithë vëmendja e Beslirës dhe Drilonit është kthyer plotësisht tek përgatitjet finale për ditën e madhe të lindjes. /Prive By Liberta Spahiu


