Bebe Rexha nuk ka ndërmend të fshihet më, sidomos kur bëhet fjalë për pëlqimet e saj ndaj kolegëve të industrisë. Gjatë ceremonisë së “American Music Awards 2026”, këngëtarja me origjinë shqiptare ka dhënë një intervistë mjaft flirtuese, ku vëmendjen kryesore e mori ylli i muzikës country, Riley Green.
“Dua të jem e hapur sepse çfarë kam për të fshehur?” u shpreh Bebe për E! News në tapetin e kuq. Ajo theksoi se në këtë pikë të karrierës së saj, thjesht dëshiron të jetë vetvetja dhe të bëjë atë që ndjen. Dhe ajo që ndjeu në atë moment ishte një tërheqje e fortë për këngëtarin e hitit “Worst Way”, duke deklaruar hapur: “Riley Green është tmerrësisht hot.”
Pasi u kthye për të parë me vëmendje artistin që po kalonte aty pranë, Bebe nuk humbi kohë por bëri gjestin e njohur të telefonit me dorë drejt kameras, duke artikuluar fjalët “më telefono”. Ky moment “shkundi” rrjetin, duke u konsideruar si një nga lëvizjet më guximtare të mbrëmjes.
Megjithatë, Riley nuk ishte i vetmi që mori vëmendjen e yllit të pop-it. Gjatë bisedës, aty kaloi edhe reperi i njohur Ludacris, të cilin Bebe e priti me një përqafim dhe shumë komplimente. Ajo e cilësoi yllin e “Fast & Furious” si një ikonë të vërtetë, ndërsa ky i fundit ia ktheu vlerësimin duke thënë se ikona e vërtetë në atë tapet ishte vetë ajo.

Mbrëmja mund të sjellë edhe një bashkëpunim të ri muzikor. Ludacris premtoi publikisht se do t’i dërgojë Bebes një këngë menjëherë pas eventit. “Mos e thuaj nëse nuk do ta bësh, sepse gjithçka është e regjistruar në kamera,” e sfidoi Bebe, ndërsa reperi konfirmoi: “U bë, do të të dërgoj këngën. Është punë e mbaruar.” /Prive By Liberta Spahiu


