Noizy, ka dëshmuar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) në procesin gjyqësor ndaj Laert Haxhiut.
Bëhet fjalë për shpërthimin me tritol të ndodhur në vitin 2022 në lokalin e Noizyt në Durrës, ngjarje që sipas SPAK-ut dyshohet të jetë urdhëruar nga Laert Haxhiu, pas konfliktit të reperit me Cllevio Serbianon.
Gjatë rrëfimit të tij para togave të zeza, Noizy ka zbardhur të gjithë kronologjinë e ngjarjes, nga momenti i shpërthimit të frikshëm që i zgjoi familjen e deri te fiksimi i sëmurë i Cllevios, që sipas tij kulmoi me djegien e një makine përmes pagesave të kryera nga Dubai.
Noizy ka treguar se natën e ngjarjes ndodhej në të njëjtin pallat ku u vendos eksplozivi, në katin e parë të të cilit ndodheshin dy bizneset e tij, një dyqan rrobash dhe një lokal.
Ai kujton se ka qenë në gjumë me dritaren hapur kur dëgjoi shpërthimin dhe, pasi zbriti poshtë rreth orës 09:00, kuptoi se bëhej fjalë për eksploziv.
Aty gjeti babanë, ndërsa më pas u bashkuan edhe nëna me motrën e tij.
Sipas dëshmisë, sasia e lëndës plasëse kishte shkaktuar dëme të jashtëzakonshme rreth orës 03:00 deri në 04:00 të mëngjesit, duke thyer mermerin e duke hapur një gropë të madhe në tokë, ndërsa hyrja e lokalit dhe e dyqanit të rrobave ishte shkatërruar plotësisht si në katin e parë, ashtu edhe në të dytin.
I pyetur për dyshimet e para, Noizy pranoi se e dinte menjëherë se nga vinte rreziku, duke ia faturuar gjithçka Kleviol Ahmetit, të cilin e përshkroi si një fans të fiksuar që kërkonte vëmendje me çdo kusht.
Ai deklaroi se sharjet nga ana e Cllevios nuk kishin ndaluar që nga viti 2019, ndonëse mes tyre nuk kishte pasur kurrë njohje apo bashkëpunime.
Reperi theksoi se Cllevio del në TikTok duke sharë të gjithë botën pasi e ka kuptuar që merr vëmendje sa herë përmendet emri “Noizy”, duke e cilësuar sjelljen e tij si një çmendi dhe fiksim të pashpjegueshëm për t’u bërë shok me të me çdo kusht.
Konflikti mes tyre kishte kulmuar pikërisht një ditë përpara shpërthimit me tritol, kur Cllevio kishte shkuar te një tjetër lokal i Noizyt në Durrës i shoqëruar nga 20 persona me 5 makina, gjoja për t’u sqaruar.
Noizy tregoi se e dinte që po vinte pasi ai ishte drejtpërdrejt në TikTok gjatë gjithë kohës duke treguar armë. Sapo u fut brenda, Cllevio kishte pyetur “Ku është ai legeni?” dhe më pas, kur dolën jashtë në shkallët e lokalit, nisi konflikti fizik.
Reperi dëshmoi se Cllevio e ofendoi rëndë duke i thënë “Do të qeroj, o pederast” dhe në atë moment, duke qenë në pronën e tij, Noizy e kishte goditur i pari në një përplasje që zgjati vetëm pak sekonda, para se Cllevio të largohej si pasagjer në njërën prej makinave.
Noizy kujtoi gjithashtu se ishin takuar edhe më herët për t’u sqaruar teksa ishte met familjarët, por sapo ishin ndarë, ai kishte rifilluar sërish me avazin e sharjeve.
Tensionet nuk përfunduan met vendosjen e tritolit, pasi Noizy akuzoi Cllevion se ka paguar njerëz nga arratisja për t’i dëmtuar sërish pronën.
Ai deklaroi se pas shpërthimit, Cllevio, i cili ka ende një gjyq të hapur dhe Noizy u shpreh se nuk e di se si doli nga burgu, u largua drejt Dubait.
Prej andej, sipas dëshmisë, ai pagoi disa djem nga Vlora të cilët erdhën dhe i dogjën një automjet reperit, duke shtuar se nga ana e tij nuk ka pasur asnjëherë situatë konfliktuale.
Sa i përket lidhjes me Laert Haxhiun, i cili dyshohet nga SPAK-u si organizatori i sulmit me eksploziv, Noizy ka prerë çdo mundësi njohjeje apo komunikimi.
Reperi deklaroi përpara trupit gjykues se nuk kishte dëgjuar kurrë më parë për të dhe se emrin e Laert Haxhiut e kishte ndeshur për herë të parë vetëm rreth tri vite më parë, në momentin kur e gjithë kjo ngjarje dhe dosja hetimore u bënë publike në media.
/Prive By Liberta Spahiu


