A e keni menduar ndonjëherë se të blesh sot një banesë në pjesë të caktuara të Prishtinës, mund të kushtojë pothuajse njësoj si të blesh një pronë në Dubai? Për të kuptuar saktësisht se çfarë po ndodh me këtë trend që po tërheq gjithnjë e më shumë personazhet e njohur shqiptarë, Prive By Liberta Spahiu ishte e pranishme në eventin e organizuar nga gjigantët e Damac dhe RedSand Real Estate.
Zbarkimi i këtyre emrave të mëdhenj të ndërtimit në Hotel Garden në Prishtinë solli një interesim të jashtëzakonshëm për të mësuar rreth mundësive të investimit. Gjatë prezantimeve në konferencë, u theksua se Damac shquhet për super-projekte dhe bashkëpunime me marka të nivelit të lartë si Fendi Casa e Versace. Megjithatë, vëmendjen e mori “Chelsea Residences”, një projekt masiv dhe inovativ që po ndërtohet në bashkëpunim zyrtar me klubin e famshëm të futbollit Chelsea FC.
Ahmad Emadeideen, përfaqësuesi i Damac, foli hapur për avantazhet e tregut atje, duke e cilësuar atë si një terren pa asnjë kufi për zhvillim.
“Dubai është i sigurt, Dubai është i madh, Dubai është sukses. Në Dubai ka para të mëdha”, u shpreh ai. Ai sqaroi se ky mbetet padyshim një nga opsionet më të mira globale të momentit, pasi “qeveria lehtëson gjithçka për të gjithë investitorët në botë që të vijnë në Dubai”.
Në anën tjetër, Gentian Muli nga RedSand Real Estate e zbërtheu edhe më tej situatën me detaje konkrete, duke shpjeguar pse ky destinacion po kthehet në zgjedhjen e parë. Sipas tij, përfitimet nisin që te rritja e shpejtë kapitale, duke qenë se qyteti ka ende një potencial të pashfrytëzuar, pasi vetëm 25% e tokës është e ndërtuar, ndërsa 75% është e lirë. Por, thelbi i gjithë këtij fluksi investimesh mbetet te sistemi i favorshëm financiar. “Çfarëdo lloj sasie e të ardhurave që ti e bën në Dubai, është 100% e jotja”, theksoi Muli, duke i kujtuar publikut se mungesa e taksave mbi fitimin dhe siguria e nivelit të lartë që ofron qyteti, e bëjnë këtë lëvizje një hap të zgjuar. /Prive By Liberta Spahiu


