Javën e kaluar, familja e këngëtares së njohur Shkurte Fejza përjetoi një nga ngjarjet më të rëndësishme, martesën e vajzës së saj, Agnesës. Pas kësaj ceremonie familjare, artistja ka zgjedhur ta kthejë këtë emocion në art, duke publikuar këngën e saj më të re. Projekti mban titullin “Oj e amla e shpisë” dhe vjen si një dedikim i sinqertë për të bijën që sapo ka nisur një kapitull të ri në jetën e saj.
Kjo këngë ritmike nuk është krijuar vetëm për Agnesën, pasi artistja ka treguar se ajo u dedikohet të gjitha vajzave që kanë vendosur të martohen gjatë këtij viti. Teksti dhe muzika theksojnë atë që konsiderohet si një prej lidhjeve më të forta në botë, raportin unik dhe mjaft të ndjeshëm mes një nëne dhe vajzës së saj.
Në njoftimin e publikimit të këtij projekti, Shkurte ka përcjellë edhe një mesazh të drejtpërdrejtë urimi për të gjitha nuset e reja, duke i uruar ato për këtë hap të rëndësishëm në jetë.
“Fat dhe lumturi për vajzat që bëhen nuse. Uroj që t’iu pëlqejë”, ka shkruar këngëtarja përbri videos. Me këtë projekt të ri muzikor, ajo vazhdon të ruajë traditën e saj për të qenë e pranishme në gëzimet familjare të publikut të saj, duke ofruar muzikë të re që i përshtatet atmosferës së dasmave. /Prive By Liberta Spahiu


