Pas konfirmimit të emrave të njohur botërorë si Katy Perry dhe Martin Garrix, Sunny Hill Festival ka zbuluar një tjetër surprizë për edicionin e këtij viti. Është bërë zyrtare se ylli skocez, Lewis Capaldi, do të performojë në Prishtinë këtë verë. Njoftimi i fundit i festivalit ka ngjallur reagime të shumta në rrjet, ku ndër të tjerë, edhe Rina Lipa ka shprehur entuziazmin e saj duke komentuar menjëherë në llogarinë e festivalit. Prania e tij e shton edhe më shumë larmishmërinë e këtij edicioni që po mbledh figura mjaft të rëndësishme të industrisë së muzikës.
Lewis Capaldi ka arritur sukses ndërkombëtar kryesisht përmes baladave të tij që kanë prekur miliona dëgjues. Këngë si “Someone You Loved”, “Before You Go”, “Bruises” dhe “Forget Me” kanë kryesuar toplistat dhe kanë grumbulluar shifra shumë të larta dëgjueshmërie në platformat digjitale. Përtej muzikës, ai ka krijuar një lidhje të fortë me publikun falë natyrës së tij spontane dhe sensit të humorit. Aftësia e tij për të bërë shaka, shpeshherë edhe me veten, e ka bërë atë një personazh mjaft të pëlqyer në rrjetet sociale, duke ofruar një qasje shumë më reale me fansat.
Me një listë artistësh që përfshin zhanre nga pop-i i Katy Perry-t, te muzika elektronike e Martin Garrix dhe interpretimet e ndjera të Lewis Capaldi, edicioni i vitit 2026 po formësohet sërish si ngjarja më e rëndësishme kulturore në vend.
Publiku në Prishtinë do të ketë mundësinë të shijojë performanca mjaft të larmishme gjatë ditëve të festivalit, duke e shndërruar parkun në një hapësirë ku do të gërshetohen emocionet dhe argëtimi pa kufi. /Prive By Liberta Spahiu


