Anisa Veseli ka folur hapur për arsyet që e shtynë të hiqte dorë nga muzika, duke zbuluar detaje të panjohura nga një periudhë që, sipas saj, nuk ka qenë aspak e lehtë.
Përmes një videoje të publikuar në Instagram, ajo sqaroi se largimi nga muzika nuk erdhi si pasojë e paragjykimeve, bullizimit apo kritikave për aftësitë e saj në këndim.
“Është një industri tepër e errët, edhe unë e kam humbur veten kur kam qenë në atë fazë”, deklaroi Anisa, duke lënë të kuptohet se përvoja në industrinë muzikore kishte ndikuar negativisht tek ajo.
Anisa tregoi se gjatë asaj periudhe kishte humbur qetësinë shpirtërore, madje nuk arrinte të kuptonte se çfarë dëshironte nga vetja dhe jeta e saj.
“Më mirë me fitu më pak edhe me qenë më e lumtur shpirtërisht, se me fitu shumë pare edhe mos me ditë se kush je ti”, u shpreh ajo, duke theksuar se sot ndihet shumë më e lumtur me punën që bën.
Anisa pranoi se muzika kishte qenë një nga ëndrrat e saj më të mëdha që nga fëmijëria, por rrugëtimi artistik nuk kishte shkuar ashtu siç e kishte imagjinuar. Sipas saj, nuk kishte arritur ta shprehte plotësisht veten dhe të realizonte projektet që dëshironte.
Megjithëse vendimi për t’u larguar i shkakton ende pikëllim, ajo theksoi se nuk është penduar, pasi ka arritur të gjejë qetësinë, lirinë dhe kontrollin mbi jetën e saj.
Gjatë videos, Anisa surprizoi ndjekësit duke publikuar edhe fragmente nga disa këngë të parealizuara, të cilat, siç tha ajo, mund të mos publikohen kurrë.
Ajo veçoi dy projekte që kanë pasur rëndësi të veçantë për të, “Dashnia hipokrite” dhe “Kënga e vetmisë”, duke treguar se i kishte realizuar me shumë emocion dhe i kishte përjetuar aq thellë sa kjo kishte ndikuar edhe në shëndetin e saj.
“Jam sëmurë aq shumë, e kam marrë afër zemrës”, rrëfeu ajo, teksa kujtoi përkushtimin emocional gjatë realizimit të këtyre projekteve.
Në përfundim, Anisa dha edhe një mesazh për të gjithë ata që ndjekin ëndrrat e tyre, duke i këshilluar të mos qëndrojnë në një rrugë që nuk u bën mirë, pavarësisht dëshirës së madhe për ta realizuar atë ëndërr.
“Zoti ta mshel një derë, po ta çel një tjetër. Mos e harro kurrë këtë send”, përfundoi ajo, duke theksuar se largimi nga muzika e kishte ndihmuar të gjente sërish veten.
/Prive By LS
View this post on Instagram


