Komuna e Prishtinës dhe ndërmarrja publike “Trafiku Urban” kanë njoftuar ndryshimet e reja në rregulloren e çmimeve për biletat e transportit publik. Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi duke filluar nga data 1 korrik 2026, ku risia kryesore është se biletat e blera përmes kuletës digjitale ose me SMS do të jenë më të lira sesa biletat fizike që blihen në autobus.
Për qytetarët që zgjedhin të udhëtojnë me biletë njëdrejtimëshe, çmimi fizik do të jetë 0.80 €, ndërsa ajo digjitale apo me SMS do të kushtojë 0.60 €. Ndryshime ka edhe në biletat me afat më të gjatë kohor; biletat ditore do të kushtojnë 1.20 € (fizike) ose 1.00 € (digjitale), ato javore 6.00 € (fizike) ose 5.00 € (digjitale), ndërsa biletat mujore do të jenë 18.00 € nëse blihen fizikisht dhe 14.50 € në formatin digjital.
Ndryshimi i çmimeve ka prekur edhe linjën e veçantë të Aeroportit. Udhëtarët që do të shfrytëzojnë këtë linjë do të paguajnë 6.00 € për biletë fizike, apo 5.00 € nëse e blejnë atë përmes kanaleve digjitale apo SMS-ve.
Për përdoruesit e rregullt, “Trafiku Urban” ofron edhe opsione vjetore mjaft ekonomike. Bileta vjetore digjitale për individë do të kushtojë 150.00 €. Ndërkaq, për bizneset me 20 e më shumë punëtorë, ofrohet bileta korporative vjetore digjitale me një çmim të zbritur prej 120.00 € për person. /PriveBruto


