Ora po shënon 23:00 dhe për shumicën prej nesh, ky është momenti kur trupi fillon të kërkojë qetësi pas një dite të gjatë dhe të ngarkuar. Mirëpo, shpeshherë gabojmë duke qëndruar me telefon në dorë deri në momentin e fundit, gjë që na lë pa gjumë ose na bën të zgjohemi të lodhur të nesërmen. Për të pasur një natë të qetë dhe një mëngjes produktiv, ekspertët e gjumit sugjerojnë të ndryshoni disa zakone të vogla që nga ky moment.
Sipas neuroshkencëtarëve, gjëja e parë dhe më e rëndësishme është të largoheni nga ekranet e telefonit apo televizorit të paktën 30 deri në 60 minuta para se të flini. Drita blu që emetojnë këto pajisje mashtron trurin duke i dhënë sinjale se është ende ditë. Kjo bllon direkt prodhimin e melatoninës – që njihet si hormoni i gjumit. Në vend të lundrimit në rrjete sociale, provoni të lexoni disa faqe të një libri fizik ose thjesht të dëgjoni një muzikë të lehtë në sfond.
Një tjetër sekret që sipas psikologëve bën mrekulli për sistemin nervor është “shkarkimi i trurit” përmes shënimeve. Nëse po mendoni për obligimet e nesërme apo streset e ditës, shkruajini ato në një letër. Ekspertët thonë se ky veprim i thotë trurit se problemet janë “të siguruara” diku dhe nuk ka nevojë të mendojë për to gjatë natës, duke larguar kështu ankthin e orëve të vona.
Së fundmi, rregulloni ambientin ku flini. Ekspertët e ‘National Sleep Foundation’ tregojnë se temperatura ideale e dhomës për një gjumë të thellë duhet të jetë e freskët, diku mes 16°C dhe 19°C. Ajroseni dhomën për pak minuta para se të shtriheni dhe, nëse keni mundësi, pini një çaj të ngrohtë kamomili. Ky ritual i thjeshtë do të sinjalizojë trupin tuaj se erdhi koha për t’u fikur dhe për t’u rigjeneruar siç duhet për ditën e nesërme. /Prive By Liberta Spahiu


