Gresa Gashi ka lënë të gjithë gojëhapur me paraqitjen e saj të fundit në eventin e organizuar nga Juliana Nura për dokumentarin “Eagle Queen”, duke u shfaqur plot 10 kilogramë më e lehtë dhe në një formë fizike të shkëlqyer. Aktorja e dashur për publikun ka treguar se ky transformim nuk ka ndodhur aspak brenda natës, por falë një vendimi të prerë për të vënë veten në plan të parë dhe një disipline që kërkon shumë vullnet.
Gjatë një prononcimi për Prive By Liberta Spahiu, Gashi zbuloi se gjithçka kishte nisur fillimisht si një sfidë me mendjen e saj. Pasi pauzoi përkohësisht projektet e reja për t’iu përkushtuar maksimalisht linjave trupore, Gresa e theksoi qartë se formula e suksesit ishte thjesht deficiti kalorik.
“Sekreti është, që ky është sekreti kryesor e ndër krejtve: domethënë kalori deficit, mos me ngrënë, me ndalë gojën, edhe ushtrime,” ka thënë ajo me shumë humor. Aktorja gjithashtu nënvizoi se pesha e mëparshme nuk e kishte penguar kurrë emocionalisht, por kësaj radhe e kishte ndarë mendjen dhe e kishte fiksuar në tru që donte një ndryshim personal.
Sa i përket rutinës së ushqimit dhe aktivitetit fizik, regjimi i saj mund të konsiderohet ekstremisht strikt. Ajo ka shpjeguar se menyja e saj ditore bazohet pothuajse ekskluzivisht vetëm te pula dhe vezët, duke hequr dorë nga çdo tundim tjetër. Ndërkaq, kur bëhet fjalë për lëvizjen, Gresa është kthyer në një fanatike të vërtetë të ecjes.
“Ecje po bëj çdo ditë, i bëj diku rreth 16 mijë deri në 17 mijë hapa,” pohoi ajo e buzëqeshur, duke pranuar në fund me të qeshura se tashmë i kishte nxjerrë të gjitha sekretet e saj në shesh. /Prive By Liberta Spahiu


