Një çift i njohur për sfidat e tyre të rrezikshme në lartësi u arrestua të mërkurën në Nju Jork, pasi u ngjitën në mënyrë të paligjshme në transmetuesin (antenën) e ndërtesës së famshme Empire State Building.
Angela Nikolau dhe Ivan Kuznetsov, u morën nga policia e Nju Jorkut (NYPD) me një sërë akuzash të rënda, duke përfshirë vjedhje me thyerje, rrezikim të pakujdesshëm, shkelje të pronës dhe dëmtim kriminal.
Përpara se tu vinin prangat, çifti arriti qëllimin e tyre në majën e ndërtesës. Ata shpalosën një baner pro paqes ku shkruhej një thënie e politikanit britanik të shekullit të 19-të, William Gladstone: “Kur fuqia e dashurisë të mundë dashurinë për fuqi, bota do të njohë paqen”. Gjatë zbritjes, Kuznetsov nxori unazën dhe i propozoi për martesë Nikolaut, e cila tha “Po”. Çifti e dokumentoi të gjithë ngjarjen me kamerat e tyre, duke e shpërndarë në rrjetet sociale.
Ndërhyrja e Policisë dhe Detajet e Hetimit
Njësia e Shërbimit të Urgjencës së NYPD-së (ESU) ndërhyrise me shpejtësi. Dy oficerë të pajisur me rripa sigurimi u ngjitën brenda strukturës së majës për t’i takuar ata në gjysmë të rrugës dhe i morën në pranga pak para orës 13:00. Policia ka publikuar tashmë pamjet nga kamerat e trupit të oficerëve, ku shihet momenti i arrestimit. Hetimet fillestare tregojnë se dyshja ka hyrë përmes një dritareje mirëmbajtjeje të kyçur në katin e 102-të, pasi kishin vëzhguar lëvizjet e stafit.
Ngjarja shkaktoi panik dhe kaos të përkohshëm mes turistëve në kuvertën e vëzhgimit. Disa vizitorë u dëshmuan se panë çiftin të kalonte në zonat e ndaluara sikur të ishin punonjës, ndërsa të tjerë u detyruan të evakuoheshin brenda ndërtesës për arsye sigurie. Shumë turistë që ndodheshin në katin e 86-të nuk mundën të ngjiteshin më lart për shkak të bllokimit nga policia.
View this post on Instagram
Angela Nikolau dhe Ivan Kuznetsov janë të famshëm ndërkombëtarisht për ngjitjet e tyre pa mjete sigurimi në ndërtesat më të larta të botës. Historia e tyre e dashurisë dhe aventurat e rrezikshme u bënë pjesë e dokumentarit të vitit 2024 në Netflix, të titulluar “Skywalkers: A Love Story”.
Në një deklaratë zyrtare, menaxhmenti i Empire State Building siguroi se në asnjë moment nuk pati rrezik për vizitorët ose qiramarrësit e ndërtesës. Megjithatë, ata nuk la pa përmendur me ironi se kuverta e vëzhgimit e ndërtesës më të famshme në botë ofron mënyra shumë më “praktike” dhe të ligjshme për propozime të paharrueshme martese, pa pasur nevojë për të sfiduar ligjin. /Prive By Liberta Spahiu


