Çdo vit, miliona udhëtarë përballen me vonesa, stres të shtuar dhe shpenzime të papritura nëpër aeroporte, shpesh për shkak të disa gabimeve të përsëritura. Bazuar në analizat e ekspertëve të aviacionit dhe studimet mbi sjelljen e udhëtarëve, menaxhimi i kohës dhe logjistika e bagazheve mbeten pikat më kritike.
Më poshtë renditen gabimet më të mëdha që bëhen në aeroport dhe si t’i shmangni ato për një udhëtim të qetë.
1. “Sindroma e mbërritjes në momentin e fundit”
Një nga gabimet më të shpeshta është llogaritja e gabuar e kohës së mbërritjes në aeroport. Shumë udhëtarë nisen duke menduar vetëm për kohën e nisjes së avionit (Departure time), duke harruar që portat e fluturimit (Boarding gates) mbyllen zakonisht 30 deri në 45 minuta përpara fluturimit. Ekspertët sugjerojnë rregullin standard: 2 orë përpara për fluturimet shtëpiake/rajonale dhe 3 orë përpara për ato ndërkombëtare, duke marrë parasysh radhët e paparashikueshme në siguri apo kontroll pasaportash.
2. Moskontroli i peshës dhe rregullave të bagazhit në shtëpi
Pagesat shtesë për bagazhe të mbingarkuara janë një nga burimet kryesore të fitimit për kompanitë ajrore dhe një nga gjobat më të shpeshta për udhëtarët. Çdo kompani ka rregulla strikte për dimensionet dhe peshën e çantave të dorës dhe atyre të linjës. Hapja e valixhes në mes të aeroportit për të zhvendosur rrobat është një gabim logjistik që kushton kohë dhe nerva; peshimi i bagazhit përpara nisjes nga shtëpia e eliminon plotësisht këtë stres.
3. Neglizhimi i përgatitjes për pikën e kontrollit të sigurisë
Radhët në pikën e kontrollit të sigurisë zgjasin shpesh sepse udhëtarët fillojnë të bëhen gati vetëm kur u vjen radha te skaneri. Gabimi qëndron në mosorganizimin e hershëm: lëngjet mbi 100 ml duhet të lihen në shtëpi, ndërsa ato të lejuarat, së bashku me pajisjet elektronike (laptop, tablet), duhet të vendosen në vende lehtësisht të arritshme në çantë për t’u nxjerrë shpejt në koshin e skanimit.
4. Besimi i verbër te tabelat e njoftimeve dixhitale (pa kontrolluar portën fizike)
Ndryshimet e portave të fluturimit (Gate changes) ndodhin rregullisht nëpër aeroporte të mëdha. Shumë udhëtarë ulen në restorante apo dyqane dhe harrojnë të kontrollojnë ekranet e njoftimeve çdo 15-20 minuta. Ekspertët këshillojnë që sapo të kaloni sigurinë, gjëja e parë që duhet të bëni është të lokalizoni fizikisht portën tuaj të fluturimit, dhe vetëm pas kësaj të shfrytëzoni kohën e mbetur për blerje apo çlodhje.
5. Mbështetja vetëm te biletat dixhitale në telefon
Ndonëse jetojmë në epokën dixhitale, varësia ekskluzive nga bateria e telefonit apo lidhja e internetit në aeroport mund t’ju lërë në baltë. Rënia e baterisë saktësisht në momentin e skanimit të biletës është një skenar i shpeshtë. Ruajtja e një kopjeje të printuar të biletës (Boarding Pass) ose të paktën shkarkimi i saj si foto/PDF offline në telefon mbetet një rregull i artë sigurimi. /Prive By Liberta Spahiu


