Alban Skënderaj ka marrë vendimin të anulojë atë që pritej të ishte një prej koncerteve të tij kryesore këtë verë në qytetin e lindjes.
Përmes një reagimi për ndjekësit e tij, këngëtari njoftoi se “’MOTIV’ ishte planifikuar të vinte si një produksion gjigant në Vlorë këtë gusht”. Por, planet janë prishur nga zhvillimet e fundit dhe protestat në Shqipëri, të cilat tashmë kanë hyrë në muajin e tyre të dytë. Për këtë arsye, artisti theksoi qartë se “për shkak të situatës së krijuar në vend, kam vendosur që koncerti i planifikuar në Vlorë të mos zhvillohet ose të shtyhet për një datë të pacaktuar”.
Pavarësisht këtij hapi dhe mesazheve për bashkim, vendimi dhe deklaratat e këngëtarit kanë ngjallur reagime të ndryshme në rrjet. Artisti është kritikuar shpesh kohët e fundit nga një pjesë e publikut pikërisht për një “qëndrim pa qëndrim” kundrejt projektit shumë të debatuar në Zvërnec të Vlorës.
Ndonëse mundohet të thotë mendimin e tij rreth situatës së tensionuar, ai ka zgjedhur të mos rreshtohet hapur, gjë që ka sjellë edhe kritikat drejt tij. Në mesazhin e tij për anulimin e koncertit, ai mbajti një qasje të ndërmjetme, duke u shprehur: “Uroj me zemër që gjithçka të zgjidhet paqësisht e në mënyrë qytetare”.
Natyrisht, si çdo qytetar tjetër, edhe Albani ka të drejtën e tij të plotë të jetë pro, kundër, apo të zgjedhë të mos përfshihet drejtpërdrejt në debate të tilla polarizuese.
Për të, fokusi duket se mbetet te arti, duke besuar thellë se muzika ka si mision “të frymëzojë, të japë shpresë, të krijojë ura aty ku ka distancë dhe të bashkojë njerëzit aty ku jeta i ka ndarë”. Mbetet për t’u parë nëse ky projekt i madh do të arrijë të gjejë momentin e duhur në të ardhmen për t’u rikthyer te publiku. /Prive By Liberta Spahiu



