Familja e këngëtarit dhe aktorit kolumbian Maluma është zgjeruar me një anëtar të ri.
Artisti 32-vjeçar ka mirëpritur fëmijën e tij të dytë me partneren Susana Gómez. Lajmin e bukur çifti e bëri të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në fotografinë bardhë e zi, Maluma shihet duke mbajtur në krahë të porsalindurin, ndërsa me dorën tjetër përqafon partneren e tij. Çifti ka zbuluar gjithashtu se kanë mirëpritur një djalë.
“Orion Londoño Gómez”, shkruan në postimin e tyre, duke bërë të ditur edhe emrin e vogëlushit. Sipas datës së publikuar, ai ka lindur më 14 shtator 2026.
Maluma dhe Susana Gómez janë tashmë prindër të një vajze 2-vjeçare, Paris.
Çifti kishte bërë të ditur në muajin maj se po prisnin fëmijën e tyre të dytë, përmes një fotografie ku Maluma dhe vajza e tyre puthnin butësisht barkun e rrumbullakosur të Susanas.
Këngëtari dhe partnerja e tij janë lidhur që prej vitit 2020. Në vitin 2023, Maluma zbuloi se po bëhej baba për herë të parë përmes videoklipit të këngës “Procura”, ndërsa ardhjen në jetë të vajzës së tij e njoftoi në mars të vitit 2024.
Pas lindjes së Paris, artisti foli edhe për mënyrën se si atësia kishte ndryshuar këndvështrimin e tij për jetën. Ai e përshkroi këtë periudhë si një kapitull që e kishte ndryshuar plotësisht dhe që e kishte bërë të dëshironte të kujdesej më shumë për shëndetin dhe të ishte një shembull për vajzën e tij.
“Gjithçka ndryshoi. Dhe më pëlqen”, ishte shprehur Maluma, duke shtuar se dëshiron t’i bëjë fëmijët e tij krenarë.
Tani, familja e tij ka nisur një kapitull të ri me ardhjen në jetë të Orionit, ndërsa Maluma dhe Susana Gómez janë bërë prindër për herë të dytë. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


