Erika Kirk, bashkëshortja e të ndjerit Charlie Kirk, ka mbërritur mëngjesin e së hënës në gjykatën e Provo-s në Utah, për të ndjekur nga afër seancën paraprake ndaj Tyler Robinson, autorit të dyshuar për vrasjen e partnerit të saj.
E shoqëruar nën masa të rrepta, ajo ka zbritur nga një automjet i zi SUV dhe ka hyrë me shpejtësi në ambientet e gjykatës, përpara nisjes së këtij procesi me rëndësi të jashtëzakonshme për drejtësinë.
Robinson akuzohet se në shtator të vitit 2025 qëlloi për vdekje Charlie Kirk-un në ambientet e Universitetit Utah Valley.
Mbi të rëndojnë disa akuza të rënda, ku më kryesorja është ajo e vrasjes në rrethana rënduese, dhe prokurorët kanë bërë të qartë se do të kërkojnë dënimin me vdekje nëse ai shpallet fajtor.
Seanca e sotme pritet të jetë vendimtare, pasi gjykata do të përcaktojë nëse provat e grumbulluara janë të mjaftueshme për ta kaluar çështjen në gjyq zyrtar.
Përpara nisjes së seancës, Erika ka shpërndarë një deklaratë prekëse përmes një postimi në rrjetin social X në emër të familjes së ngushtë, duke u shprehur se çdo paraqitje në gjykatë është një kujtesë e dhimbshme e humbjes së tij dhe e traumës së pariparueshme që kjo tragjedi ka lënë te njerëzit e tij të dashur dhe te fëmijët.
Përmes këtij mesazhi, familja falënderoi të gjithë mbështetësit për lutjet dhe mirësinë e treguar që nga dita e ngjarjes, duke theksuar se kjo mbështetje e madhe i ka ndihmuar të gjejnë forcë në këtë periudhë jashtëzakonisht të vështirë.
Ata shtuan se nuk do të bëjnë më asnjë koment për mediat, me qëllim që të respektojnë procesin gjyqësor, dhe kërkuan privatësi për të vazhduar zinë në qetësi.
Siç ka raportuar më parë media e njohur TMZ, Robinson u prangos pas një kërkimi masiv menjëherë pas sulmit.
Autoritetet dyshojnë se ai qëlloi për vdekje Kirk-un nga çatia e një ndërtese dhe më pas u arratis nga kampusi universitar, për t’u vetëdorëzuar më vonë në polici.
Që nga ajo kohë, prokurorët kanë grumbulluar një sërë provash të forta që e lidhin Robinson-in me vrasjen, duke përfshirë gjurmë të ADN-së të gjetura në pushkë e në municione, si dhe mesazhe telefonike ku ai diskutonte sulmin dhe përpiqej të fshihte gjurmët.
Seanca e së hënës pritet të ofrojë pamjen më të qartë të deritanishme të dosjes së plotë që prokuroria ka siguruar për të provuar fajësinë e tij. /Prive By Liberta Spahiu
Statement on behalf of Charlie Kirk’s immediate family, his parents Robert and Kathryn, his wife, Erika, and his sister, Mary:
Charlie was a beloved husband, son, brother, friend, and father. Every court proceeding serves as a painful reminder of his death and the loss that has…
— Erika Kirk (@MrsErikaKirk) July 6, 2026


