E nisën me shumë zhurmë dhe premtime të mëdha, por duket se rrugës diçka nuk ka shkuar sipas planit. Platforma X Media e Donald dhe Romeo Veshajt, e cila nisi transmetimet me 20 mars të këtij viti, ka rënë në një heshtje totale që po ngjall jo pak dyshime te publiku. Ka më shumë se tre javë, konkretisht që nga 13 qershori, që prodhimtaria dhe çdo publikim i ri në këtë kanal është ndalur plotësisht.
Materiali i fundit i transmetuar mbetet emisioni i vëllezërit Veshaj, “Më Lër Ta Mbaroj”, i cili duket se ka shënuar edhe ndërprerjen e të gjithë programacionit tjetër në platformë. Ajo që e bën të gjithë këtë situatë edhe më të mistershme dhe aspak si një mbyllje të planifikuar sezoni në mes të qershorit, është fakti se në minutat e fundit të atij emisioni, Donaldi dëgjohet tek thotë qartë me gojën e tij: “shihemi javën tjetër”. Megjithatë, java tjetër erdhi dhe shkoi, e bashkë me të kaluan edhe dy të tjera, ndërsa nga vëllezërit nuk ka asnjë shenjë rikthimi apo sqarimi për ndjekësit e tyre.
Kjo amulli vjen në një periudhë mjaft delikate për dyshen, të cilët muajt e fundit kanë qenë pre e kritikave dhe presioneve të publikut për qëndrimin e tyre ndaj Vlorës. Gjatë muajit maj qarkulloi me shpejtësi lajmi se Donald Veshaj i është futur zyrtarisht botës së ndërtimit, duke aplikuar së bashku me ortakët e tij për një leje zhvillimi te qeveria shqiptare për një kullë gjigante 33-katëshe në qendër të qytetit bregdetar.
Në mes të këtij kaosi mediatik, heshtjes disajavore dhe zhurmës për investimet e reja, duket se situata brenda platformës ka lëvizje. Prive By LS mëson se një pjesë e stafit veçse është konfirmuar se nuk do të jetë më pjesë e X Media, duke vulosur se pas kësaj pauze të papritur fshihen lëvizje dhe ndryshime të rëndësishme brenda ekipit.
Se kur apo si (nëse) do të rikthehet programacioni, kjo mbetet ende për t’u parë. /Prive By Liberta Spahiu



