Nderkohë që influencuesit e njohur të rrjeteve sociale, Andrew dhe Tristan Tate, po mbahen në paraburgim në Florida ndërsa kundërshtojnë kërkesën për ekstradism nga Mbretëria e Bashkuar, dokumente të reja gjyqësore të zbardhura zbulojnë detaje të rënda nga prokurorët mbi akuzat e fundit për krime seksuale, përfshirë përdhunimin dhe trafikimin seksual.
Parashtrimet federale, të publikuara të hënën në mbrëmje, detajojnë ankesat e bëra nga disa gra pranë zyrtarëve britanikë kundër të dy vëllezërve për abuzim seksual dhe fizik. Sipas dokumenteve, viktimat pretendojnë se janë mbytur deri në humbje të vetëdijes dhe janë përdhunuar. Të hënën, vëllezërit u paraqitën në gjykatën federale në Miami, ku përmes avokatëve të tyre mohuan të gjitha akuzat dhe u zotuan të luftojnë ekstradimin, ndërsa një nga mbrojtësit e tyre i bëri thirrje publike administratës Trump për të ndërhyrë.
Sipas autoriteteve britanike, akuzat e fundit u ngritën pas hetimeve mbi raportimet e katër viktimave shtesë, duke e çuar numrin e përgjithshëm të akuzave ndaj të dyve në 59. Në padinë e zbardhur ndaj Andrew Tate, prokurorët detajojnë pretendimet e dy grave: njëra prej tyre deklaroi se u mbyt deri në humbje të ndjenjave ndërsa po përdhunohej në shtëpinë e saj në Bedford në vitin 2015, ndërsa një tjetër pretendon se gjatë një takimi në Manchester, ai e mbajti të mbërthyer pa mundësi frymëmarrjeje, duke i shkaktuar frikën se do ta vriste.
Me këto zhvillime të reja, Andrew Tate përballet tashmë me një total prej 42 akuzash — përfshirë përdhunimin, trafikimin e qenieve njerëzore, sulmin fizik, si dhe 19 akuza që lidhen me “azhurnimin e imazheve të unshtatshme të fëmijëve dhe pornografisë ekstreme”. Nga ana tjetër, Tristan Tate përballet me 17 akuza; dokumentet pretendojnë se ai ka përdhunuar në mënyrë të përsëritur një partnere të tij gjatë viteve 2012–2013, e ka mbytur atë deri në humbje të vetëdijes dhe e ka goditur me rrip duke i shkaktuar nxirje dhe plagë të rënda trupore.
Prokurorët britanikë konfirmojnë se kanë siguruar dëshmi të dëshmitarëve, mesazhe elektronike dhe fotografi që mbështesin dhe korroborojnë këto akuza. Arrestimet e fundit shënojnë kapitullin më të fundit në betejat shumëvjeçare ligjore të vëllezërve Tate, të cilët pasi u bënë të njohur nga reality show-t në Britani, ndërtuan një audiencë të madhe online duke promovuar përmbajtje toksike dhe mizogjene. /Prive By Liberta Spahiu


