Ylli botëror i muzikës pop, Katy Perry, ishte kryefjala e natës së parë të Sunny Hill Festival 2026, duke sjellë në Prishtinë një performancë të mbushur me hitet që e kanë shndërruar në një nga artistet më të suksesshme të dekadave të fundit. Artistja ishte headliner-i i mbrëmjes së së premtes, në edicionin e sivjetmë të festivalit.
Përveç spektaklit në skenë me këngë si “Firework”, “Dark Horse”, “California Gurls”, “Teenage Dream” dhe “Roar”, një nga momentet më të ndjera të mbrëmjes erdhi gjatë kontaktit të saj me publikun. Gjatë performancës, Katy u afrua pranë fansave dhe u ndal te një vajzë 10-vjeçare me emrin Era, e cila nuk i përmbajti emocionet dhe shpërtheu në lot.
Këngëtarja u prek nga reagimi i saj, e përqafoi dhe shkëmbeu disa çaste me vogëlushen, ndërsa publiku e duartrokiti gjatë. Më pas, Era ka treguar se takimi me artisten ishte dhurata më e bukur që mund të merrte për ditëlindje, ndërsa së bashku kënduan refrenin e hitit “Roar”.
“Si dhuratë për ditëlindje dua ta këndojmë bashkë këngën ‘Roar'”, u shpreh super ylli botëror.
Pamjet e këtij momenti u shpërndanë me shpejtësi në rrjetet sociale, duke u kthyer në një nga episodet më të komentuara të natës së parë të Sunny Hill Festival, ku Katy Perry konfirmoi edhe një herë lidhjen e veçantë që krijon me publikun në koncertet e saj. /Prive By Liberta Spahiu
@inesa.c21


