Një video që po qarkullon gjerësisht në rrjete sociale ka nxitur reagime, pasi një kolonë dasmorësh shqiptarë është ndaluar nga policia në afërsi të Beranës, në Mal të Zi.
Sipas raportimeve të mediave malazeze, dasmorët ishin nisur nga Gucia drejt zonës së Beranës, në drejtim të fshatit Buçe, ndërsa në automjetet e tyre kishin vendosur flamuj shqiptarë. Kolona është ndaluar nga policia malazeze dhe pjesëmarrësve, sipas raportimeve, u është kërkuar që flamujt të hiqeshin nga automjetet.
Pamjet janë shpërndarë edhe nga profili “Afrim Travels”, i cili bëri të ditur se personat e përfshirë janë familjarë të tij dhe se po udhëtonin për të marrë nusen.
Në reagimin e tij, ai e cilësoi rastin si diskriminues ndaj shqiptarëve në Mal të Zi.
“Racizmi dhe urrejtja ndaj shqiptarëve në Mal të Zi është e neveritshme”, shkroi ai, duke ngritur pikëpyetje se përse, sipas tij, flamuj të tjerë shfaqen lirshëm, ndërsa flamuri shqiptar trajtohet si provokim.
Ai shtoi se shqiptarët duhet të mbështesin më shumë njëri-tjetrin, duke e përfunduar reagimin me një mesazh për unitet.
Rasti bëhet edhe më i diskutueshëm për shkak të kuadrit ligjor në Mal të Zi. Ligji për zgjedhjen, përdorimin dhe shfaqjen publike të simboleve kombëtare të pakicave parashikon se flamujt kombëtarë mund të përdoren edhe gjatë festave familjare të organizuara nga persona fizikë. Megjithatë, në raportimet e deritanishme për këtë incident nuk është dhënë një shpjegim i detajuar nga policia se mbi çfarë baze konkrete është kërkuar heqja e flamujve.
Ngjarja vjen vetëm pak ditë pas një tjetër debati rreth simboleve kombëtare në Guci. Më 3 gusht, dy persona u identifikuan nga policia pasi gjatë një aktiviteti publik shfaqën një flamur që autoritetet e përshkruan si me simbole të të ashtuquajturës “Shqipëri e Madhe”. Prokuroria vlerësoi se nuk kishte elemente të veprës penale, ndërsa ndaj tyre u kërkua nisja e procedurës kundërvajtëse.
Edhe nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Nikola Camaj, reagoi pas atij rasti, duke kërkuar që, nëse autoritetet vendosin të sanksionojnë përdorimin e simboleve, standardet të zbatohen në mënyrë të barabartë ndaj të gjitha komuniteteve.
Videoja e fundit nga Berana ka rikthyer kështu debatin mbi përdorimin e flamurit shqiptar dhe trajtimin e simboleve kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi. /Prive Bruto



