Aktorja Sandra Bullock ka folur hapur për herë të parë në detaje për dhimbjen që përjetoi gjatë betejës së partnerit të saj, Bryan Randall, me ALS, si dhe për humbjen e tij në vitin 2023.
Në një episod të podcastit “SmartLess”, 62-vjeçarja tregoi se Randall u diagnostikua me sklerozë laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje e rëndë neurodegjenerative, me të cilën ai luftoi privatisht për tre vite.
Sipas Bullock, partneri i saj i kishte kërkuar që diagnoza të mos bëhej publike dhe ajo e respektoi dëshirën e tij.
“Nuk më lejohej të flisja për të. Ishte kërkesa e tij dhe unë u përpoqa ta respektoja deri në fund”, rrëfeu aktorja.
Bullock rrëfeu se kjo situatë ishte veçanërisht e vështirë gjatë pandemisë së COVID-19, pasi e bëri të ndihej e izoluar ndërsa mbante mbi supe peshën e madhe të diagnozës së tij.
“Unë nisa të vajtoja për Bryan katër vite para se ai të vdiste”, u shpreh ajo, duke shtuar se ai ishte i sëmurë për rreth gjysmën e marrëdhënies së tyre.
“Personi im u largua shumë më herët se trupi i tij”, tha Bullock, duke shpjeguar se vetëm pas vdekjes së tij nisi të përballej plotësisht me dhimbjen që kishte përjetuar.
Aktorja tregoi gjithashtu se familja duhej të planifikonte gjithçka në heshtje dhe se, pavarësisht se sëmundja nuk e frikësonte atë, situata ishte shumë e vështirë për dy fëmijët e saj, veçanërisht për vajzën Laila, e cila e shihte Randall si figurë atërore.
Për një kohë të gjatë, vetëm motra e saj, Gesine Bullock-Prado, ishte në dijeni për diagnozën e Randall.
Më vonë, Bullock e ndau këtë informacion edhe me disa miq të afërt, përfshirë Jennifer Aniston dhe Amanda Anka.
Randall ndërroi jetë në gusht të vitit 2023, në moshën 57-vjeçare, pas një beteje trevjeçare me ALS.
Familja e tij bëri të ditur atëherë se ai kishte zgjedhur ta mbante private sëmundjen dhe se të afërmit kishin respektuar dëshirën e tij.
Bullock dhe Randall u njohën në vitin 2015 dhe gjatë lidhjes së tyre ndanë kujdesin për dy fëmijët e Bullock, Louis dhe Laila, si dhe për vajzën e Randall nga një lidhje e mëparshme, Skylar.
Pas vdekjes së partnerit, Bullock mori kohë për t’u shëruar dhe qëndroi pranë fëmijëve të saj përpara se të rikthehej në punë.
Tashmë ajo rikthehet në ekran me “Practical Magic 2”, ku luan sërish përkrah Nicole Kidman.
Filmi pritet të dalë në kinema më 10 shtator, ndërsa episodi i Bullock në “SmartLess” do të publikohet në të gjitha platformat e podcast-eve më 24 gusht. /Prive By Liberta Spahiu


