Ish-banorja e “Big Brother VIP Albania”, Rizarta Hoxha, ka qenë kryefjala e medieve rozë gjatë ditëve të fundit, pas disa publikimeve të bujshme nga gazetari Elton Tozaj.
Gjithçka nisi me një fotografi në aeroport gjatë një udhëtimi në Spanjë, ku ajo shihej krah fituesit të “Big Brother Albania 1”, Arbër Çepani. Megjithëse fytyrat nuk dukeshin qartë, veshja e njëjtë zbuloi se vajza pranë tij ishte pikërisht Rizarta, duke nxitur menjëherë zërat për një lidhje dashurie mes tyre.
Mirëpo, vëmendja u përmbys sërish sot, kur gazetari Tozaj publikoi një video intime ku Rizarta shihet duke u puthur me një djalë tjetër.
Krahas videos, gazetari ngriti pyetjen nëse kjo pamje i përket periudhës para apo pas udhëtimit me Arbërin në Spanjë, gjë që bëri që pamjet të qarkullojnë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe të shkaktojnë një reagim të madh te publiku.

Pas bujës dhe debatit të krijuar, ka ardhur edhe reagimi i parë zyrtar nga vetë Rizarta Hoxha përmes një shkrimi në “InstaStory”.
Ajo ka bërë të ditur se kjo situatë e ka kaluar çdo kufi të informacionit dhe përbën një cenim të rëndë të jetës së saj private, duke kujtuar se edhe figurat publike gëzojnë të drejta ligjore dhe se kurioziteti i publikut nuk përbën interes publik.
Në reagimin e saj, Rizarta i është referuar nenit 625 të Kodit Civil, Ligjit për Mbrojtjen e Të Dhënave Personale, si dhe Nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Ajo ka paralajmëruar se kjo çështje nuk do të trajtohet më publikisht, por do të ndiqet kategorikisht në rrugë ligjore.

Nuk ka munguar as kundër-reagimi i menjëhershëm nga gazetari Elton Tozaj, i cili i është përgjigjur publikisht paralajmërimit për gjyq. Përmes një postimi në “InstaStory”, Tozaj ka deklaruar se gazetaria investigative e showbiz-it nuk përbën asnjë shkelje kur bëhet fjalë për personazhe publikë në ambiente publike apo rrugë qyteti. Ai ka theksuar se në asnjë vend demokratik nuk ekziston ligj që u ndalon gazetarëve publikimin e materialeve me interes publik nëse ato nuk janë xhiruar brenda shtëpisë, duke e mbyllur reagimin e tij me ironi: “Të fala ligjeve!”.
/Prive By Liberta Spahiu



