Shein, gjiganti ndërkombëtar i fast fashion, që ka ndryshuar mënyrën se si miliona njerëz blejnë rroba online me çmime shumë të ulëta dhe mijëra produkte të reja çdo javë, tashmë ka hapur dërgesat direkte edhe për Kosovën. Dhe para porosisë së parë, ka disa detaje që mund t’ju kursejnë para dhe kohë.
E para, koha e dërgesës. Porositë nuk mbërrijnë menjëherë. SHEIN e shfaq në aplikacion afatin e parashikuar për secilën porosi, prandaj para pagesës kontrolloni datën e mbërritjes. Afati mund të ndryshojë varësisht nga produktet dhe magazina prej nga nisen dhe mesatarisht merr dy javë kohë.
E dyta, transporti mund të jetë falas. Aktualisht, për Kosovën po shfaqet free shipping kur porosia kalon afërsisht 19 deri në 20 euro. Pragu mund të ndryshojë me ofertat, ndaj kontrollojeni gjithmonë totalin në checkout.
E treta, dhe ndoshta më e rëndësishmja, është kufiri prej 35 eurosh. Sipas Doganës së Kosovës, dërgesat me vlerë të vogël deri në 35 euro lirohen nga detyrimet e importit, me disa përjashtime specifike. Kjo do të thotë se ia vlen ta kontrolloni me kujdes vlerën e porosisë nëse është rreth kësaj shume përpara se ta finalizoni.
E katërta, mos e bëni pagesën pa kontrolluar kuponat. SHEIN ofron rregullisht kode zbritjeje dhe oferta të ndryshme, ndërsa përdorimi i një kuponi mund ta ulë ndjeshëm çmimin final të shportës.
Dhe e pesta, mos u befasoni nëse porosia ju vjen në më shumë se një pako. SHEIN mund ta ndajë një porosi në dy apo më shumë dërgesa, varësisht nga magazina ku ndodhen produktet.
Pra, para porosisë së parë në SHEIN, kontrolloni afatin, kapeni transportin falas, mbajeni në mend kufirin prej 35 eurosh dhe mos harroni kuponin. Në këtë mënyrë, eksperienca mund të dalë dukshëm më e lirë dhe më e thjeshtë. /Prive Bruto


