“The Odyssey” po shënon një sukses të jashtëzakonshëm në kinematë IMAX në mbarë botën.
Filmi ka arkëtuar deri tani 457 milionë dollarë vetëm në IMAX, duke u bërë kështu filmi me fitimet më të larta në historinë e këtij formati.
Kërkesa e madhe nga publiku ka bërë që shfaqja e filmit në formatin IMAX 70mm të zgjatet deri më 30 shtator.
Me këtë vendim, “The Odyssey” do të ketë një shfaqje prej gjithsej 11 javësh në formatin 70mm, një arritje e rrallë për një film të kohëve të fundit.
Ky rezultat ka bërë që “The Odyssey” të thyejë rekordin e mbajtur për shumë vite nga “Avatar” i vitit 2009.
Filmi i James Cameron kishte arkëtuar 271 milionë dollarë në IMAX, pa u përshtatur shifra me inflacionin.
Një pjesë e rëndësishme e këtij suksesi vjen nga ekranet IMAX 70mm, të cilat janë vetëm 41 në të gjithë botën.
Në këto kinema, “The Odyssey” ka arkëtuar rreth 66 milionë dollarë, ose mesatarisht 1.6 milionë dollarë për ekran.
Suksesi i filmit nuk është kufizuar vetëm në IMAX.
Në nivel global, “The Odyssey” ka grumbulluar deri tani rreth 1.55 miliardë dollarë, duke u shndërruar në një prej filmave më të suksesshëm të viteve të fundit dhe duke vendosur disa rekorde të tjera.
Filmi është tashmë filmi me vlerësimin R me arkëtimet më të larta në histori, duke kaluar “Deadpool & Wolverine” të vitit 2024, i cili kishte arkëtuar 1.338 miliardë dollarë.
Gjithashtu, “The Odyssey” është bërë filmi më i suksesshëm në karrierën e regjisorit Christopher Nolan, duke tejkaluar “The Dark Knight Rises” të vitit 2012, i cili kishte arkëtuar 1.1 miliardë dollarë në mbarë botën.
Vëmendja e madhe ndaj formatit IMAX lidhet edhe me mënyrën se si është realizuar filmi.
“The Odyssey” është filmi i parë që është xhiruar tërësisht me kamera IMAX, ndërsa shumë produksione të tjera të mëdha kanë përdorur këtë teknologji vetëm për skena të veçanta.
Sipas IMAX, gjatë realizimit të filmit janë përdorur rreth 600 mijë metra shirit filmik, një gjatësi që tejkalon distancën mes Torontos dhe New Yorkut.
Në rolin kryesor vjen Matt Damon, i cili interpreton Odiseun, mbretin e Itakës.
Filmi rrëfen udhëtimin e tij të gjatë dhe të rrezikshëm drejt shtëpisë, pas përfundimit të Luftës së Trojës, duke sjellë në ekran një nga historitë më të njohura të mitologjisë greke.
Përkrah Damonit, në kastin e filmit janë edhe Tom Holland, Anne Hathaway, Robert Pattinson, Lupita Nyong’o, Zendaya, Charlize Theron, Elliot Page, Jon Bernthal** dhe John Leguizamo. /Prive By Liberta Spahiu


