Dafina Dauti prek me këngën “Kosova po pret”, dhjetë ditë para vendimit në Hagë
Në një moment kur vëmendja e gjithë Kosovës është kthyer drejt Hagës, Dafina Dauti ka publikuar projektin e saj më të ri muzikor, “Kosova po pret”.
Kënga u kushtohet ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sjell përmes vargjeve pritjen, mallin dhe shpresën e familjarëve e qytetarëve për kthimin e tyre në vend. Teksti është shkruar nga Bediha Emini, ndërsa kënga është shoqëruar edhe me videoklip.
Projekti vjen vetëm dhjetë ditë para një prej datave më të rëndësishme të procesit gjyqësor. Më 16 shtator 2026, në orën 10:00, Dhomat e Specializuara në Hagë do ta shpallin aktgjykimin e shkallës së parë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Katër ish-krerët e UÇK-së ndodhen në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Seanca për shpalljen e vendimit do të jetë publike dhe do të transmetohet edhe në gjuhën shqipe.
Teksa Kosova numëron ditët deri më 16 shtator, Dafina Dauti e ka shndërruar pritjen kolektive në këngë, duke sjellë një projekt me ngarkesë të fortë emocionale. /Prive By Liberta Spahiu


