Zhvillim i ri në çështjen që prej ditësh ka marrë vëmendje të madhe në rrjetet sociale. Gjykata e Tiranës ka caktuar këtë të mërkurë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Jozefin Marku dhe Kristjan Nikollin, të arrestuar pas incidentit me Eduard Kuçin. Vendimi është më i butë se kërkesa e Prokurorisë së Tiranës, e cila kishte kërkuar “arrest me burg” për të dy.
Rasti u bë publik pas shpërndarjes së pamjeve nga përplasja pranë mbikalimit të Rinasit. Në videon e plotë shihej edhe përdorimi i një tabele “STOP Policia”, ndërsa Edi Kuçi shihej i rrethuar nga disa persona dhe në një moment goditej nga Jozi. Pikërisht përdorimi i simboleve të Policisë së Shtetit është një prej elementeve që po verifikohet nga organet e hetimit.
Policia kishte njoftuar më herët se ndaj Markut po hetohej për disa vepra penale, përfshirë “Heqjen e paligjshme të lirisë”, “Plagosjen e lehtë me dashje”, “Kanosjen”, “Mbajtjen pa të drejtë të uniformës” dhe “Ndërhyrjen e padrejtë në jetën private”. Kristjan Nikolli dyshohet se ka drejtuar automjetin e përdorur gjatë ngjarjes.
Ndërkohë, një tjetër kthesë në hetim erdhi kur edhe Eduard Kuçi u shpall në kërkim policor për moskallëzim krimi. Sipas të dhënave të bëra publike, ai fillimisht e kishte përshkruar në polici ngjarjen si një konflikt të thjeshtë për bllokimin e rrugës, ndërsa procedimi penal nisi pas verifikimeve të vetë autoriteteve. (
Hetimet për rastin vazhdojnë, ndërsa Prokuroria ka kërkuar edhe akt ekspertimi për të përcaktuar dëmtimet eventuale trupore të Kuçit dhe rolin e secilit prej personave të përfshirë. /Prive By Liberta Spahiu.


