Flora Brovina u nda nga jeta sot, në moshën 76-vjeçare, duke lënë pas një histori që ndërthur mjekësinë, letërsinë, aktivizmin, politikën dhe një nga periudhat më të rënda të Kosovës.
E lindur më 30 shtator 1949 në Skenderaj dhe e rritur në Prishtinë, Brovina u përball me përndjekjen politike që në fëmijëri. Kur ishte vetëm tre vjeçe, babai i saj u burgos, ndërsa familja mbeti e rrethuar kryesisht nga gra. Edhe të afërm të saj kishin përfunduar në burgun famëkeq të Goli Otokut.
Ajo studioi mjekësi dhe u specializua për pediatri në Zagreb. Për një periudhë punoi edhe si gazetare në “Rilindja”, përpara se të angazhohej për vite në Pediatrinë e Spitalit të Prishtinës.
Por emri i saj do të lidhej fuqishëm edhe me aktivizmin. Në vitin 1992 themeloi Lidhjen e Gruas Shqiptare, ndërsa në prag të luftës ishte ndër organizatoret e një marshi paqësor ku morën pjesë mijëra gra shqiptare. Edhe pasi situata në Kosovë u përshkallëzua, Brovina vendosi të qëndronte në Prishtinë dhe u angazhua në ndihmë të grave dhe fëmijëve.
Në prill të vitit 1999 ajo u mor nga shtëpia dhe më pas u dërgua në burgun e Pozharevcit. Gjatë ndalimit iu nënshtrua qindra orëve të marrjes në pyetje dhe më vonë u dënua me 12 vjet burg. Rasti i saj shkaktoi reagime të fuqishme ndërkombëtare, ndërsa Brovina u lirua më 1 nëntor 2000 dhe u kthye në Kosovë.
Krahas mjekësisë dhe aktivizmit, Brovina ishte edhe poete. Librin e parë me poezi e botoi që në moshën 24-vjeçare, ndërsa në vitin 2000 mori çmimin ndërkombëtar “PEN Freedom to Write”.
Pas luftës ajo u angazhua edhe në politikë, duke shërbyer për disa mandate si deputete e Kuvendit të Kosovës. Në vitin 2014, si deputetja më e moshuar, drejtoi edhe seancën konstituive të Kuvendit.
Nga pediatria te poezia, nga aktivizmi te burgu dhe më pas te Kuvendi, Flora Brovina la pas një prej historive më të pazakonta të grave të Kosovës së dekadave të fundit. /Prive Bruto


