Gazetari i njohur, Milaim Zeka, ka shpërthyer në lot gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë me emisionin “Shqipëria Live”, teksa po komentonte vendimin e marrë sot në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, të cilët u dënuan me burg.
Gjatë bisedës, Zeka tregoi edhe për reagimin e vajzave të tij pas vendimit.
Ai tha se vajza e madhe ishte nisur për të marrë pjesë në protestë, ndërsa vajza e dytë, vetëm 10 vjeçe, e kishte pyetur për moshën e Hashim Thaçit dhe nëse ekzistonte rreziku që ai të vdiste në burg.
“Është problemi i vajzave. Vajza e madhe u nis për protestë, ndërsa vajza e dytë, që është 10 vjeç, më tha:
‘Babi, sa vjeç është Hashim Thaçi?’. Pastaj më pyeti: ‘A ka rrezik të vdesë në burg?’”, rrëfeu Zeka.
Ai u shpreh i shqetësuar edhe për moshën e ish-krerëve të UÇK-së, duke përmendur në veçanti Jakup Krasniqin.
“E imagjinon bacin Jakup 75 vjeç, të gjithë këta? I vetmi njeri që ka folur, domethënë, çfarë duhet të flasë, që unë kam folur që 3-4 vjet, është avokati i Thaçit. Avokati i Thaçit sot drejtoi gishtin te Kuvendi i Republikës së Kosovës, tek askush tjetër.
Harrojini protestat apo çdo veprim tjetër. Nëse nuk mblidhen deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe nuk e vendosin nën kontroll këtë gjykatë raciste, puro raciste, kot dalim nëpër rrugë. Kjo po më prek. Shqetësimi i fëmijëve tanë, se ne e kemi ngrënë këtë dynja. Është turp”, tha Zeka në “Shqipëria Live”. /Prive By Liberta Spahiu


