Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur vetëm pak ditë para publikimit të librit të ri të Charles Spencer, vëllait të Princeshës Diana.
Katër kopje të librit ende të pabotuar “Swan Song: Diana, My Sister” janë vjedhur nga një kamion në Holandë, gjatë transportimit të tyre nga shtypshkronja drejt magazinës.
Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 14 shtatorit, ndërsa shoferi ishte ndalur për pushimin e detyrueshëm dhe po flinte në kabinë. Rasti është bërë publik më 16 shtator, ndërsa policia holandeze ka nisur hetimet.
Detaji që ka tërhequr më së shumti vëmendje është se, ndonëse në kamion ndodheshin mijëra kopje, hajdutët raportohet se kanë marrë vetëm katër prej tyre. Libri po mbahej nën masa të shtuara sigurie për të shmangur rrjedhjen e përmbajtjes para publikimit.
Vepra e Charles Spencer pritet të publikohet më 22 shtator dhe përmban rrëfime personale për motrën e tij, Princeshën Diana, jetën e saj dhe periudhën pas ndarjes së saj nga jeta. /Prive Bruto



