Sara Hoxha po bën një tjetër hap të rëndësishëm në televizion, këtë herë jo si konkurrente apo pjesë e jurisë, por në rolin e drejtueses. Nga e diela, 20 shtator, influencerja do të jetë në krye të rubrikës së re “Me Gjithë Zemër”, pjesë e programit “E Diell” në Top Channel.
Ky nuk është kontakti i parë i Sarës me ekranin. Në sezonin 2022–2023 ajo ishte një nga konkurrentet e “Dancing With The Stars” dhe në fund u shpall fituese e spektaklit së bashku me balerinin Luixhino Hala. Pak muaj më vonë, Sara iu bashkua pikërisht “E Diell” si anëtare e jurisë së rubrikës “She’s On Top”, përkrah Dea Mishel dhe Krist Aliaj.
Eksperiencave të saj në ekran iu shtua edhe aktrimi. Në vitin 2023, ajo ishte pjesë e kastit të filmit “Në Kuadër të Dashurisë”, ku interpretoi personazhin e Arias.
Tashmë, rikthimi në “E Diell” e vendos për herë të parë në një pozicion tjetër: me një rubrikë të cilën do ta drejtojë vetë.
Nga postimet paralajmëruese të “Me Gjithë Zemër”, ku publikut i kërkohet të shkruajë për të falënderuar dikë, për të kërkuar falje, për të organizuar një propozim martese apo për të surprizuar një njeri të dashur, kuptohet se në qendër do të jenë historitë njerëzore dhe emocionet.
Koncepti të sjell ndër mend formatet emocionale që kanë pasur sukses ndër vite në televizionet shqiptare, si “Dua të të bëj të lumtur”, i drejtuar dikur nga Arbana Osmani në Top Channel, apo rubrika “Ka një mesazh për ty” e Ardit Gjebreas. Megjithatë, “Me Gjithë Zemër” prezantohet si një projekt i ri dhe mbetet për t’u parë se çfarë formule të plotë do të ketë.
Kështu, pas “Dancing With The Stars”, eksperiencës në jurinë e “She’s On Top” dhe aktrimit, Sara Hoxha provon për herë të parë veten si moderatore, duke nisur një etapë të re televizive në ekranin e Top Channel. /Prive By Liberta Spahiu
View this post on Instagram


